“Saranda, qyteti i njerëzve të lumtur” – Projekti i të rinjve nga Ukraina, risia e sezonit turistik
Është një projekt që na ndihmon ne, ukrainasve, të mblidhemi bashkë, të kemi mundësi për të punuar. Dhe, siç është në gjithë botën (është në Francë, Maqedoni, Bosnje), ne udhëtojmë dhe përpiqemi t’u japim njerëzve lumturi, një suvenir për të mbajtur mend nga pushimet.
Në bulevardin e mbushur të Sarandës, ku çdo mbrëmje kthehet në një festë emocionesh dhe aromash vere, bie në sy një risi e veçantë: gazeta “Saranda”, ku vetë pushuesit bëhen lajmi i parë.
Vajza dhe djem të rinj ukrainas, të pajisur me kamera dhe printerë portativë, fotografojnë në vend pushuesit dhe, brenda pak minutash, u dorëzojnë një gazetë të personalizuar, me titullin “Saranda, Qyteti i Njerëzve të Lumtur.”
“Interesante ta shikosh veten në faqen e parë të gazetës, një risi që nuk e kemi parë në asnjë qytet tjetër të Shqipërisë. Një ambient shumë miqësor dhe mikpritës,” shprehet pushuesi.
Kjo është një nismë e të rinjve nga Ukraina, që ofrohet edhe në vende si Franca, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja. Për ta, kjo është një mënyrë për të shpërndarë lumturi në një kohë të vështirë për vendin e tyre.
“Është një projekt që na ndihmon ne, ukrainasve, të mblidhemi bashkë, të kemi mundësi për të punuar. Dhe, siç është në gjithë botën (është në Francë, Maqedoni, Bosnje), ne udhëtojmë dhe përpiqemi t’u japim njerëzve lumturi, një suvenir për të mbajtur mend nga pushimet. Më pëlqejnë njerëzit këtu. Ata janë shumë të mirë. Janë shumë ndihmues gjatë gjithë kohës. Unë jetoj në Tiranë. Edhe aty njerëzit janë shumë ndihmues. Prandaj më pëlqejnë shumë shqiptarët,” shprehet e reja nga Ukraina.
“Ne i fotografojmë njerëzit dhe i përfshijmë në këtë gazetë që ka edhe informacion për këtë qytet, për Sarandën. Është një projekt ukrainas që funksionon në shumë vende. Njerëzit mund të na ndjekin, sepse ne kemi Instagramin tonë. Ne duam t’i bëjmë njerëzit të lumtur duke shtuar kujtimet e tyre nga vendi që vizitojnë, prandaj edhe titulli i gazetës është: ‘Gazeta e Njerëzve të Lumtur’. Ne ndajmë me njerëzit lumturinë dhe harenë,” shprehet turistja nga Ukraina, pjesë e projektit.
“Gazeta e bulevardit” nuk është thjesht një suvenir. Është një moment i bukur, që mbetet gjatë në kujtesë, një kujtim i vogël nga vera në Sarandë, që ndjehet i madh në zemër.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





