Ilir Alimehmeti thyen heshtjen, kërkon riformatim forumesh dhe zgjedhje të reja për pozicionet drejtuese të PD
Ilir Alimehmeti kërkon që procesi i analizës së Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 majit, të shoqërohet me riformatim të forumeve të saj, sikundër të pozicioneve drejtuese.
Në një intervistë për RTSH-në, Alimehmeti tha se edhe pse mandati i kupolës drejtuese përfundon në vitin 2026-të, ndryshimet nuk janë tabu edhe si të tilla, ato mund të afrohen në kohë.
“Sa më shpejt të fillojë puna për riformatimin aq më mirë jemi ne. Gara e ardhshme zgjedhore janë patjetër zgjedhjet vendorë të 2027-ës. Kështu që, a do të kemi ne një organizim që të optimizojë këto zgjedhje në 2027-ën apo jo, kjo është çështja. Dhe në këtë drejtim, patjetër riformatimi, rioksigjenimi dhe lëvizja e ideve dhe mendimeve, sidomos, duhet të heqim dorë nga mos thënia e gjërave, pasi nuk na çon përpara”, tha Alimehmeti.
Pavarësisht se cili do të jetë qëndrimi i Sali Berishës, gara për postin e Kryetarit të Partisë Demokratike duket e mirëpritur për Ilir Alimehmetin.
“Nëse dikush e ka ambicien dhe dëshiron të garojë, absolutisht çdo ditë që kalon është e humbur dhe duhet ta marrim këtë gjë parasysh. Dhe nuk mund të varet kjo vetëm nga doktor Berisha i cili garon apo në maj. Po të jetë kështu do të thotë që kemi një problem pastaj me këtë personin i cili mund të ketë ambicien drejtuese apo jo”, thotë ai.
Edhe pse ju bashkua PD-së si prurje e re me rikthimin e Berishës në krye të saj, thotë se procesi i Rithemelimit nuk i përmbushi të gjitha pritshmëritë.
“Nevojitet një hapje e gjerë, një oksigjen i gjerë sepse ka energji dhe ka njerëz me kontribut Partia Demokratike”, tha Alimehmeti.
Ilir Alimehmeti i bën thirrje ndërgjegjes së drejtuesve të PD-së të rikthejnë sytë tek meritokracia për të vlerësuar kontributin e dhënë nga demokratët në forma të ndryshme. Sjell në referencë edhe Ervin Salianjin, i cili sikundër thotë kreu burg politik.
Gazetare: Anisa Kadesha
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




