”Unaza e Bjeshkëve” në alpet shqiptare, rruga Dragobi-Çerem në funksion të turizmit
Çeremi është ndër fshatrat që shtrihen në trekëndëshin kufitar Shqipëri, Mali i Zi dhe Kosovë. Me bukuri të jashtëzakonshme dhe destinacion turistik alpin.
Çeremi shumë shpejt do të kthehet në urë lidhëse të turistëve vendas e të huaj që do të frekuentojnë alpet shqiptare rrëzë Shkëlzenit.
Në funksion të zhvillimit të këtij sektori ka nisur puna për ndërtimin e rrugës automobilistike Dragobi-Çerem-Markofshë, pjesë e Unazës së Bjeshkëve. Për banorët e zonës, kjo rrugë është vetë zhvillimi.
“Rruga tregon një zhvillim shumë të madh për zonën dhe krejt Malësinë e Gjakovës.”
“Shpresoj të na bëhet asfalt shumë shpejt, rrugë drita dhe infrastrukturë kërkohet këto.”
Pjesë e kësaj infrastrukture është edhe degëzimi deri në pikën kufitare me Malin e Zi.
Në rreth 20 kilometër rrugë është përfunduar pjesa më e madhe e volumit të punimeve. Pjesa tjetër është në fazë projektimi nga grupi i punës i kryesuar nga inxhinier Kristaq Puleri, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Ndërtimit.
“Ne kemi shkelu në terren, janë bërë profilet gjatësore dhe ato tërthore dhe mendojmë se në datën 28 Nëntor , së bashku me kryetarin e bashkisë, ne ti çojmë Kryeministri Rama projektin e përfunduar që do lidhi gjithë Unazën e Bjeshkëve”
Për kryetarin e bashkisë së Tropojës Rexh Biberi, infrastruktura do të jetë gur themeli për t’i dhënë një tjetër dimension zhvillimit të turizmit dhe komunikimit ndërkufitar në funksion të këtij zhvillimi.
Investimi në fjalë është pjesë e projektit Rrugë të Bardha, financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





