“Shqipëria turistike 2030”, Rama: Prioritet, cilësia dhe jo rritja në numër. Të “shërojmë” plazhet e dhunuara

Aktualitet | 1 vit më parë

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në konferencën “Shqipëria turistike 2030’, vuri theksin te cilësia e turizmit, duke deklaruar se tashmë numrat nuk janë më prioriteti i parë.

Sipas tij, turizmi sot ka standarde të tjera. Rama renditi disa shifra që reflektojnë sipas tij, rritjen e ndjeshme që ka pësuar turizmi gjatë vitit 2025, me vizitorë të huaj nga vende si Italia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Greqia, Franca, Gjermania, Kina, India, Brazili, Australia, Turqia ose Izraeli.

“Ndryshe nga çfarë është thënë, publikuar në medie lidhur me prurjen e këtij viti, aktualisht sezoni turistik veror ka sjellë që për periudhën e deritanishme të kemi mbi 9 milionë vizitorë.

Ose 500 mijë vizitorë më shumë se vitin e kaluar. Kjo është “rënia” e komentuar krejt gabimisht.

Ashtu sikundër nuk është e vërtetë që numri i vizitorëve nga Kosova ka rënë. Nuk figuron me asnjë lloj shifre konkrete. Përkundrazi ka një rritje. Destinacioni po sjell rritje”, tha Rama.

Teksa u ndal më tej te sfidat dhe problemet që kanë nevojë të adresohen, kryeministri u shpreh se prioritet mbetet “shërimi” i plazheve të dhunuara.

Rama deklaroi se plazhet publike në Ksamil dhe në Dhërmi janë privatizuar dhe kjo problematikë sipas tij, ka nevojë për ndërhyrje.

“Duhet të shërojmë plazhet e dhunuara, t’ua heqim nga dora privatëve. S’ka arsye që plazhi publik i Ksamilit të jetë plazh privat. Plazhi i Dhërmiut s’ka nevojë për subjekte që vijnë nga zona të tjera për të vendosur çadra, shezlongë e beach-bare që çmendin dynjanë.

Kryebashkiaku i Himarës e ka treguar me shembull se si bashkia mund të administrojë një plazh me përmasa modeste jo thjesht duke hapur zonën që të shkosh e të shtrihesh në rërë, por duke pasur çadra të loguara me ngjyrat e bashkisë Himarë dhe shërbim të pastër. Të rrisim kërkesën për shërbim cilësor”, theksoi Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme