SPAK përfundon hetimet, çon për gjykim kryebashkiakun Erion Veliaj, bashkëshorten Ajola Xoxa dhe 28 të tjerë
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa dhe 28 të tjerë, ku përfshihen biznesmenë, shoqëri dhe organizata jofitimprurëse.
Kryebashkiaku Veliaj akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre, pastrim parash, si dhe për futjen e sendeve të ndaluara në burg, ku ai po mbahet prej datës 10 shkurt. Ndërsa ndaj bashkëshortes së tij rëndojnë akuzat e korrupsionit pasiv në 9 raste, fshehje pasurie, pastrim parash dhe mosdeklarim ose deklarim i rremë i pasurisë në 2 raste.
Sipas SPAK-ut, çifti dyshohet se ka përfituar shuma të mëdha parash dhe pasuri të paluajtshme nga kompani dhe organizata jofitimprurëse, në këmbim të lejeve të ndërtimit dhe fondeve publike të dhëna nga Bashkia Tiranë. Në një rast, Veliaj akuzohet për miratimin e një leje ndërtimi në kushtet e konfliktit të interesit, duke qenë se bashkëshortja e tij kishte interesa pasurorë.
“Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, se i pandehuri Erion Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e përmendura më sipër, shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar nga bashkëshortja e tij, e pandehura Ajola Xoxa, si edhe individë të afërt me të. Gjithashtu këta të pandehur, për shkak të funksionit të Erion Veliaj, kanë përfituar në mënyrë të parregullt edhe pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtare që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Hetimi i prokurorëve specialë ka zbuluar se paratë e përfituara janë futur në sistemin bankar përmes OJF-ve dhe shoqërive private të lidhura me Xoxën, duke e fshehur ose mbuluar natyrën e vërtetë të pasurive. Për një periudhë të shkurtër, sipas SPAK-ut, nga vetë Xoxa ose persona të afërt me të janë kryer blerje online për veshje personale që arrijnë vlerën 86,7 milionë lekë.
Për sa i përket 12 shoqërive dhe organizatave jofitimprurëse nën akuzë për korrupsion aktiv dhe pastrim parash, SPAK thotë se “ky qëllim kriminal i të pandehurve do të ishte i pamundur të përmbushej pa rolin përcaktues të subjekteve të tjera tregtare, SHPK-ve dhe OJF-ve”.
“Organi procedues ka arritur në përfundimin se OJF-të “Harabel”, “Eventus”, “Muza” dhe “BYL-A”, personat fizikë si shtetasit Valmir Xoxa dhe Adela Kondakçiu, të kontrolluar plotësisht nga e pandehura, Ajola Xoxa, si edhe shtetasi, Elman Abule dhe shoqëria “Rametal” shpk, kanë kryer veprime konkrete të kundërligjshme në drejtim të pastrimit të produkteve të veprës penale, përmes transferimit të pasurive me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të tyre apo integrimit të shumave të të hollave në sistemin bankar.
Provat e grumbulluara dëshmojnë qartë për disponimin dhe qarkullimin e të hollave në cash, jashtë sistemit bankar, në shuma të konsiderueshme dhe në prerje të mëdha, nga e pandehura, Ajola Xoxa, bashkëshortja e të zgjedhurit vendor, Erion Veliaj. Këto shuma, të cilat vijnë si rezultat i përfitimeve të parregullta të siguruara për shkak të funksionit të kryetarit të bashkisë Tiranë, janë përdorur për të ushqyer ndër të tjera dhe aktivitetet private tregtare të subjekteve që kontrollohen nga bashkëshortja e këtij të fundit, duke organizuar evente, likujduar paga, paguar sigurime, paguar qira jashtë sistemit bankar etj, duke fshehur në këtë mënyrë burimin e vërtetë të tyre, natyrën e vërtetë të marrëdhënieve kontraktuale me subjekte të tjerë privatë, dhe për pasojë duke shmangur, por jo vetëm, edhe pagesat e detyrimeve sipas legjislacionit tatimor në fuqi”, thuhet në njoftimin e SPAK.
30 personat e dërguar për gjykim nga SPAK
Për 13 vepra penale, si “korrupsion pasiv”, “shpërdorimi i detyrës”, “veprimtari kriminale”, “mosdeklarimi ose fshehja e pasurisë”, “futja/mbajtja e sendeve të ndaluara në burg”:
- Erion Veliaj
Për 12 vepra penale, si “korrupsion pasiv”, “veprimtari kriminale”, “mosdeklarimi ose fshehja e pasurisë”:
- Ajola Xoxa
Për veprën penale “veprimtari kriminale”:
- Elman Abule, në emër të shoqërisë tregtare “Rametal” shpk;
- Valmir Xoxa;
- Adela Kondakçiu;
- “Rametal” shpk;
- OJF “Harabel”
Për veprat penale “korrupsion aktiv” dhe “veprimtari kriminale”:
- Linda Kazani, në emër të organizatës jofitimprurëse “Eventus”;
- Erald Simixhiu, në emër të organizatës jofitimprurëse “Muza”;
- Ina Goxhaj, në emër të organizatës jofitimprurëse “BYL-A”;
- OJF “Eventus”;
- OJF “Muza”;
- OJF “BYL-A”;
- OJF “Frobolous”
Për veprën penale “korrupsion aktiv”:
- Gentian Sula, në emër të shoqërisë tregtare, “Agi Kons” shpk;
- Fatmir Bektashi, në emër të shoqërisë tregtare “Kontakt” shpk;
- Meriman Palushi, në emër të shoqërisë tregtare “Palushi” shpk;
- Shkëlqim Fusha, në emër të shoqërisë tregtare “Fusha” shpk;
- Sokol Kryeziu, në emër të shoqërisë tregtare “Gerard-A” shpk;
- Frosina Bollo, në emër të organizatës jofitimprurëse “Frobolous”;
- “Agi Kons” shpk;
- “Kontakt” shpk;
- “Palushi” shpk;
- “Fusha” shpk;
- “Gerard-A”
Për veprën penale “fshehja e të ardhurave”:
- Mirton Lika, në emër të shoqërisë “Lani” shpk;
- “Lani” shpk
Për veprën penale “pengimi i zbulimit të së vërtetës”:
- Klotilda Bushka
Për veprën penale “deklarata të rreme”:
- Flutur Xhani
Për veprën penale “futja/mbajtja e sendeve të ndaluara në burg”:
- Fatjon Baci
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



