Hapen aplikimet për programet master, Universiteti “Fan S. Noli” ofron 28 programe

Aktualitet | 1 vit më parë

Në Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës kanë nisur aplikimet për programet e studimit të ciklit të dytë “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave” për vitin akademik 2025–2026.

Deri më tani kanë aplikuar rreth 130 studentë, ndërsa universiteti ofron gjithsej 28 programe master, ku përfshihen edhe dy programe të reja që kanë ngjallur interes të veçantë.

“Risi janë dy programet e studimit, “Master i Shkencave i Shkencave Bujqësore” dhe “Master Profesional Mësuesi për arsimin special” që aktualisht ka goxha kërkesa nga studentët. Vijojnë gjithashtu edhe për programet tjera të studimit të këtyre aplikime. Ndërkohë ne jemi në përfundim të sezonit të provimeve të vjeshtës sepse është një kontingjent i konsiderueshëm i studentëve që përfundojnë ciklin e parë bachelor dhe vijojnë programet e ciklit të dytë master,” tha Artur Prifti, Drejtor i Kurrikulave dhe Vlerësimit Institucional.

Ndër programet më të kërkuara është Masteri Profesional në Mësuesi për Arsimin Special, krahas edhe disa degëve të tjera që lidhen drejtpërdrejt me tregun e punës.

“Programi “Mësuesi për arsimin special” ka pasur kërkesa edhe për mastera shkencor po ashtu, sepse shihet një nevojë e mësuesve, apo dhe profileve të tjera, pasi kjo i ndihmon dhe për t’u rritur profesionalisht, por edhe për të pasur dhe përfitim financiar”, tha ai.

Afati i fundit i aplikimeve është data 3 tetor 2025, pas së cilës do të kryhet renditja, shpallja e fituesve dhe më pas procesi i regjistrimit.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme