Aplikimet në Universitetin e Gjirokastrës, rektori: Zgjidhni programet e mësuesisë, paga më e lartë se e një pedagogu
Aplikimet në universitetin e Gjirokastrës: Rektori: Zgjidhni programet e mësuesisë, paga më e lartë se e një pedagogu
Një ditë para fillimit të fazës së dytë të aplikimit për në universitete, rektori i universitetit “Eqrem Çabej” Jaho Cana u bën thirrje të rinjve të zgjedhin mes programeve që ky institucion akademik ofron.
Përveç një game të larmishme degësh në tri fakultete rektori Jaho Cana veçon dhe jetën kulturore e artistike që Gjirokastra ofron tashmë që është kthyer dhe në një nga qytetet më të vizituar nga turistët.
“Rrugët e Gjirokastrës janë të mbushura me turistë, vendas dhe të huaj, kështu që, në qoftë se jeta kulturore e qytetit ishte e varfër, aktualisht këtu ka mundësi për një jetë rinore më aktive se disa vite më parë. Tashmë është një vend që është kthyer vërtet për të jetuar dhe për të studiuar. Plus, oferta akademike e universitetit tonë është një ofertë që u përgjigjet kërkesave të studentëve”, tha rektori Cana.
Për mikrofonin e RTSH, rektori Jaho Cana është shprehur edhe mbi arsyet pse duhet të shihen me prioritet degët e mësuesisë.
“Degët e mësuesisë janë kthyer në degë të mirëpaguara, madje në sistemin parauniversitar, pagat janë bërë më të larta se të pedagogëve që nuk kanë tituj dhe grada shkencore”, tha rektori.
Universiteti i Gjirokastrës ofron 22 programe studimi në ciklin bachelor, ku pjesa dërrmuese janë ato të mësuesisë, ku shënon edhe një eksperiencë 55 vjeçare në përgatitjen e kuadrove në këtë fushë.
Gazetare: Y.Ponde
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





