Forumi i Biznesit në Vjenë – investitorët austriakë me sytë nga energjia, turizmi dhe infrastruktura

Aktualitet | 1 vit më parë

“Shqipëria, fronti i ri i zhvillimit.” Ky ishte Forumi i Investimeve Shqiptare që u zhvillua në Vjenë, të cilit iu bashkua edhe kryeministri Edi Rama.

Korporata Shqiptare e Investimeve, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Agjencinë e Zhvillimit të Territorit dhe atë të Investimeve të Huaja, organizuan këtë format që mblodhi përfaqësuesit e rreth 70 kompanive më të mëdha austriake dhe evropiane, të cilëve iu prezantua potenciali dhe lehtësitë fiskale për investime në Shqipëri.

“Turizmi në vetvete nuk ia del dot vetëm me detin dhe me netët e fjetjeve. Turizmi është një përjetim, një eksperiencë që duhet ta kthejmë, së bashku me kulturën, aktivitetet, trashëgiminë dhe historinë, në një qëndrim në Shqipëri i cili duhet të sjellë shumë më tepër kimi. Sot Europa dhe, kur themi Mesdheu, zemra e Europës, është një treg i cili në vetvete nuk duhet të na shohë duke ia marrë atë njëri-tjetrit, por duhet të bëjë të mundur që ne të konkurrojmë në botë, të konkurrojmë në tregun dhe klientelën globale të turizmit, e cila kur të vijë në Europë, në Mesdhe, të ndahet sa më shumë në vendet që kanë më shumë pasuri, si ato që ne kemi.

Ne folëm sot edhe për shembuj pilotimi, hotele dhe shkolla turizmi. Pra, për të ofruar më shumë mundësi që jo vetëm të zgjerojmë sezonin, por të zgjerojmë leverdishmërinë e investimit në Shqipëri. Ne duhet të punojmë shumë për të bërë që turistët të kthehen me kujtime të mira, me siguri të lartë për atë që kemi ofruar, me një mbresë shumë të mirë për Shqipërinë dhe kuriozë për të vizituar vende të tjera. Këtë gjë duhet ta tregojmë shumë fort, bukur dhe me sa më shumë efikasitet: identitetin tonë!” u shpreh për RTSH, ministri i Turizmit, Blendi Gonxhja.

Pak ditë pas konfirmimit në detyrë, ministri Gonxhja tregoi disa nga prioritetet kryesore të punës në këtë sektor mjaft të rëndësishëm, siç është turizmi.

“Natyrisht, synimi kryesor është thjeshtimi i gjithë procedurave për të bërë të mundur investime sa më të shpejta në vendin tonë, që të realizojmë struktura për një zhvillim sa më të qëndrueshëm, administratë sa më efikase për mënyrën sesi ne e menaxhojmë sezonin dhe bashkitë, për ta bërë sa më cilësor qëndrimin e turistëve, por për ta bërë edhe sa më të përballueshëm edhe për qytetarët shqiptarë në raport me cilësinë që ofrojmë,” tha z. Gonxhja.

Gazetare: Denada Shkodrani

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme