Akomodimi i studentëve në Korçë, kushte të përmirësuara në konviktin e Universitetit “Fan S. Noli”
Konvikti i universitetit “Fan Noli” në Korçë ofron kushte të përmirësuara në këtë vit të ri akademik, për studentët që do të zgjedhin të strehohen në këto ambiente.
Ky konvikt ka në total 74 dhoma, dy prej të cilave në katin e parë janë të përshtatura për studentët me aftësi të kufizuar, ndërsa ofron edhe një sërë mundësish studimi por edhe argëtimi në kohën e lirë.
“Në total ofrojmë 74 dhoma akomodimi ku studentët kanë mundësi përzgjedhjen për të ndarë dhomën me një student tjetër, ose të kenë një dhomë për veten e tyre. Brenda ambienteve ka dhe një bibliotekë multifunksionale 24 orë hapur, shërbimin e menzës dhe shërbimin e ofrimit të ambulancës për një jetesë të sigurt”, u shpreh Ediola Osman nga Ndërmarrja e Trajtimit të Studentëve.
Nga ana tjetër sa i takon pagesës së tarifave për strehimin në këtë konvikt ato mbeten më të lirat dhe mjaft të favorshme për studentët.
“Përveç kushteve me standarde të larta, ambientet mund të merren nga studentët me një kuotë fare minimale për jetesën e tyre. Ne ofrojmë një jetesë studentore aktive bazuar në një tarifë minimale shërbimi”, tha Osmani.
Godina ka një kapacitet prej më shumë se 140 shtretërish ndërkohë që falë rikonstruksionit të bërë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, kjo njësi akomoduese ofron kushtet optimale për akomodimin e studentëve.
Gazetare: K. Koçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





