Biznesi kërkon profesionistë. Takim me “Shkollat Profesionale”, diskutime për ndryshimin e kurikulave

Arsim | 12 muaj më parë

Nevoja për më shumë bashkërendim të punës mes biznesit dhe shkollave profesionale bëri bashkë të rinj të sapoardhur në Shqipëri, biznesmenë, akademikë, si dhe përfaqësues të qeverisë gjithashtu.

Gjatë një interviste dhënë për RTSH, presidentja e CEEMAN, Danica Purg, foli jo vetëm për rëndësinë e konferencës disaditore që u zhvillua në qytetin e Durrësit, por edhe për rolin e platformës që ajo drejton në nxitjen e bashkëpunimit dhe inovacionit në arsimin profesional.

“Unë mendoj se në Shqipëri është njësoj sikundër në vendet e tjera të botës, ne kemi nevojë për një menaxhim të arsimit, orientim të praktikave. Mendoj se është e nevojshme për të mësuar mbi etikën, menaxhim i përgjegjshëm. Në konferencën e zhvilluar në Shqipëri ne diskutuam mbi problemet dhe rolin e madh që luajnë shkollat e biznesit në këtë drejtim. Unë jam e impresionuar ndërsa kam takuar njerëz të biznesit të suksesshëm këtu, të cilët më kanë pohuar mbështetjen që kanë nga qeveria. Ne rikthehemi në Shqipëri pas shumë vitesh, dhe unë shoh që sot ka një ndryshim të madh që atëherë, pasi Shqipëria ka bërë progres të madh. CEEMAN do të vijojë të japë kontribut, për të ndarë së bashku zhvillimet për sa i takon lidershipit dhe besojmë të kemi impakt të vazhdueshëm, veçanërisht në edukimin e menaxhimit. Ne dëshirojmë të ketë më shumë shkolla menaxhimi . Mendoj se ky është një rast i mirë për promovimin e Shqipërisë“, tha znj. Purg.

Pjesë e diskutimeve disaditore ishte jo vetëm kërkesa nga bizneset për të ndryshuar kurikulat, por edhe ajo për bashkëpunim më të ngushtë, që e kërkojnë shkollat profesionale në klimën e biznesit në Shqipëri.

“Risia e konferencës është që ne sollëm katër zëra shqiptarë, katër të rinj shqiptarë që kanë kryer studimet në universitetet më të mira në botë, të cilët kanë vendosur të jetojnë në Shqipëri dhe të kthehen. Risia tjetër është që nuk u bë në Tiranë, por në Durrës. Pra, jo gjithçka ndodh në Tiranë, por në gjithë Shqipërinë. Ne patëm edhe studentë të sapoardhur dhe biznesmenë të rinj, të cilët u thamë sa të gatshëm e keni ju krahun e punës, pra, talentin. Pati shumë diskutime. U tha që shkollat duhet të ndryshojnë kurikulën në mënyrë drastike që të bëhen të gatshme për ne. Nga ana tjetër pati edhe kundërshtime. Komuniteti i shkollave të biznesit tha se është e pamundur t’i përgatisim studentët ashtu siç i doni ju. Pra, duhet një kombinim dhe bashkëpunim midis të dyja fronteve: midis bizneseve dhe shkollave të biznesit. Vetë biznesmenët duhet të japin mësim në shkollat e biznesit dhe nga ana tjetër shkollat e biznesit duhet të jenë më mendjehapura ndaj koncepteve të reja të shkollave të biznesit. Duke qenë të hapur mendërisht bëhet një sinergji edhe më e bukur,” u shpreh Gazmend Haxhia, zv.presidenti i CEEMAN-it.

Ky takim ndërkombëtar me pjesëmarrjen e një numri të lartë liderësh nga 40 vende të botës është jo vetëm një promovim për vendin tonë, por e vendos Shqipërinë në hartën e debateve globale për të ardhmen e arsimit.

Gazetare: Elda Hasanbelli

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme