Nis viti i ri akademik – Mjekësia, Inxhinieria dhe IT, më të preferuarat. Ende 3 mijë maturantë pa u regjistruar

Këtë të hënë, më 6 tetor, nisi zyrtarisht viti i ri akademik 2025–2026 në të gjitha universitetet e vendit, ku mbi 22 mijë maturantë do i drejtohen auditorëve. Universiteti i Tiranës vijon të ketë numrin më të lartë të regjistrimeve, ndërsa fakultetet si Mjekësia, Inxhinieritë, IT, Ekonomiku dhe Juridiku kanë realizuar pothuajse 90% të kuotave që në raundet e para të regjistrimeve.
Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, në një intervistë për RTSH 24 tha se rreth 3 mijë maturantë ende nuk janë regjistruar, por pritet që deri në përfundim të procesit, numri total i studentëve të rinj të kalojë shifrën e 22 mijë.
Sipas tij, interesi më të lartë mbeten degët si mjekësia, inxhinieritë dhe teknologjia e informacionit (IT), por shtoi, se edhe programet 2-vjeçare kanë rritje, duke përfaqësuar rreth 19% të aplikimeve.
“3 mijë maturantë ende nuk janë regjistruar, deri në fund të procesit këtë vit do të kalojmë shifrën e 22 mijë maturantëve. Ka një interes në rritje për programet 2-vjeçare, rreth 19 % e aplikimeve. Degët prioritare janë mjekësia, degët e inxhinierisë, IT por edhe Universiteti Bujqësor në vitet e fundit ka pasur historinë më të mirë, ku kemi një realizim me 68% të kuotave, por edhe degët e tjera duke u kombinuar me programe të si shkencat kompjuterike kanë ecuri të mirë. Duhet parë deri në fund procesi i regjistrimit ku janë 3000 maturantë që nuk janë regjistruar ende. Nëse nuk regjistrohen brenda këtij raundi do të kenë raundin e lirë dhe të aplikojnë në fakultetet që duan. Programet që mbyllen nuk ka, pasi duhen vite për të parë ecurinë e tij dhe të arrish në një vendim të tillë. Jo të gjithë maturantët shkojnë në fakultete por një pjese e tyre i drejtohen tregut të punës sidomos shkollat profesionale. Megjithatë ka një ecuri të mirë ku deri më tani kemi një realizim në 60% të kuotave thuajse në të gjitha universitetet”, tha Xhelaj.
Ai theksoi se aktualisht është realizuar rreth 60% e kuotave në shumicën e universiteteve, ndërsa për maturantët që nuk janë regjistruar ende, raundi i lirë do të jetë mundësia e fundit për të zgjedhur fakultetin e dëshiruar.
“Në total Universiteti i Tiranës ka numrin më të lartë të regjistrimit të studentëve si më i madhi në vend, por të gjitha universitetet që ofrojnë programe që kanë kërkesë të lartë si ai i mjekësisë dhe këtu realizmi i kuotave ka qenë që në raundin e parë në masën mbi 90% pastaj kemi inxhinieritë dhe dega e IT ku janë mjaft të kërkuara. Edhe Ekonomiku dhe Juridiku kanë një realizim kuote thuajse të plotë. Ka një ecuri në varësi të kërkesës së tregut të punës”, tha Xhelaj.
Në lidhje programet dygjuhëshe, Xhelaj tha se në këto raste kemi aplikime edhe nga studentë të huaj, sidomos për degët si mjekësia dhe stomatologjia.
Ai tha se universitete duhet të bëhen atraktive me programet e tyre dygjuhëshe në mënyrë që të kenë interesimin edhe më të lartë nga studentët e huaj që zgjedhin vendin tonë për t’u shkolluar.
“Qasja ndaj programe dy-gjuhësi është e mirë dhe ne programet duhet t’i bëjmë programe atraktive edhe për të huajt, pasi zgjedhin programet ën gjuhën angleze. Një grup janë studentë evropianë që ndjekin mjekësinë apo stomatologji ku zgjedhin vendin tonë pasi konkurrenca në vendin e tyre është shumë e lartë dhe numri i kuotave është u kufizuar. Ka edhe një grup që është përtej Evropës, por zgjedhin Shqipërinë për të studiuar pasi mund të integrohen më lehtë në tregun evropian të punës. Sa më shpejt afrohet Shqipëria në BE aq me i lartë do të jetë numri i studentëve të huaj për të studiuar në vendin tonë edhe për faktin se kosto e jetesës por edhe tarifa universitare është më e përballueshme”, u shpreh ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





