Ministri Salla në UBT: Partneriteti me BOKU sjell diplomë ndërkombëtare për studentët

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, mori pjesë sot në ceremoninë e fillimit të vitit të ri akademik në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Salla thekson se këtë vit akademik, numri i regjistrimeve në 9 programet e përbashkëta të dizenjuara me Universitetin BOKU të Vjenës shënoi një rritje mbi 20%, duke reflektuar interesin e lartë të studentëve dhe besimin në cilësinë e arsimit të ofruar.
“Ky rezultat është fryt i përpjekjeve për afrimin e arsimit me tregun e punës dhe për ta kthyer UBT-në në një qendër ekselence në rajon”, shprehet Salla.
Falë këtij partneriteti, studentët përfitojnë diplomë të dyfishtë dhe eksperiencë ndërkombëtare, duke pasur mundësinë të zhvillojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre në një prej institucioneve më të njohura akademike shqiptare.
Sipas Ministrit, përmes marrëveshjes së bashkëpunimit të MBZHR dhe UBT, studentët do të kenë mundësi të zhvillohen profesionalisht përmes praktikave dhe programeve të punësimit, në mbështetje të vizionit “Bujqësia 2030”.
Ministri Salla u uroi suksese të gjithë studentëve të rinj, duke theksuar rolin e tyre në transformimin e bujqësisë shqiptare drejt një sektori modern, të qëndrueshëm dhe konkurrues në tregjet europiane, në rrugën e pakthyeshme të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





