Nisja e vitit të ri akademik, sfidë e universiteteve mbetet ndërkombëtarizimi. Urojnë Begaj dhe Kumbaro

Arsim | 12 muaj më parë

Presidenti Bajram Begaj uroi për nisjen e Vitit të Ri Akademik nga Universiteti i Durrësit “Aleksandër Moisiu”, ku kanë nisur studimet në vitin e parë bachelor 1900 studentë.

“Suksesi varet nga puna juaj, nga studimi, nga përkushtimi, nga pasioni për degën që ju keni zgjedhur. Sot më shumë se kurrë nevojitet që ju të pajiseni me dije të thella, me shkathtësi praktike, me aftësi kritike për të përballuar sfidat e së nesërmes”, u shpreh Begaj.

Ky vit akademik përkon me 20-vjetorin e themelimit të këtij Universiteti. Rektori Shkëlqim Fortuzi thotë se ky vit ka 10%më shumë student se një vit më parë.

“Studentët e diplomuar në universitetin tonë punësohen direkt në profesionin e tyre. Universiteti ynë u krijon mundësi studentëve për të studiuar në programe të përbashkëta duale”, u shpreh Fortuzi.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro zgjodhi të uroj nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” nisjen e Vitit të Ri Akademik. Ndërsa përcolli urimet për studentë e pedagogë, ajo foli edhe për sfidat dhe objektivat e këtij viti akademik.

“I uroj sukses studentëve. Një dekadë pas ‘shkundjes’ të sistemit të arsimit të lartë në 2014-2015, ka ardhur koha për të rishikuar ligjin për arsimin e lartë”, tha Kumbaro.

Nga ana e tij, rektori i Universitetit të Shkodrës, prof. Tonin Gjuraj, u shpreh se reformimi i institucionit në funksion të zhvillimit të tij mbetet një ndër prioritetet kryesore edhe për stafin akademik.

Ndërkohë që vijon raundi i dytë i regjistrimeve të studentëve të rinj, kur deri më tani, në Universitetin e Shkodrës janë regjistruar 871 studentë, ndërsa më të preferuarat mbeten degët e shkencave paraklinike, informatika dhe fakulteti ekonomik.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme