Përgatitja e tokës për mbjellje, është sezoni i grurit e thekrës

Bujqësi | 12 muaj më parë

“Vlerat ushqyese të kësaj toke janë të rralla. E hamë ushqimin bio. E hamë pa vesvese,” kështu shprehet fermeri Haki Elezi.

Në një sipërfaqe prej 4 dynymësh, ai po kryen plehërimin e tokës, një proces i domosdoshëm që bëhet para plugimit.

“Sezoni i mbjelljes së grurit, pavarësisht se na duket që ka pak shi, prapë toka nuk është bërë tamam. Po bëjmë plehërimin fillestar. Ai ka vlera ushqyese. E fuqizon shumë tokën. Bimës i jep tjetër shije,” tregon fermeri.

Elezi thotë se periudha më e përshtatshme për mbjelljen e grurit është nga data 15 tetor deri në mesin e nëntorit.

“Pavarësisht se klima ka luajtur, me kusht teknik është 15 tetor–15 nëntor. Gruri, thekri, tërshëra e vjeshtës. Po të bjerë pak shi do të na favorizojë. Do të na i plotësojë kushtet si fermer,” thotë fermeri.

Ai shton se pjesa më delikate për këto fara, si gruri apo thekra, është ujitja në fazën e lulëzimit.

“Farat hibride që kanë dalë në këtë kohë kanë nevojë edhe për ujitje. Na ngelen sytë nga qielli se kur do të bjerë shi,” shprehet ai.

Megjithëse sipërfaqet e mbjella nuk janë më të gjera si dikur, përkushtimi i fermerëve ndaj tokës, sidomos me përdorimin e elementeve organikë, bën që prodhimi të jetë cilësor dhe me treg të garantuar.

Gazetar: Dashmir Shehu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme