Buxheti 2027 për bujqësinë dhe zhvillimin rural/ Ministri Salla prezanton fondin prej 18 miliardë lekësh, 10% më shumë se në vitin 2026

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, prezantoi sot në seancën plenare të Kuvendit projektbuxhetin e vitit 2027 për sektorin e bujqësisë, duke bërë të ditur se financimi total arrin në 18 miliardë lekë, ose 10% më shumë krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2026.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale pas fjalës në Kuvend, ministri Salla detajoi shpërndarjen e fondeve sipas prioriteteve kryesore, të cilat fokusohen te zhvillimi rural, siguria ushqimore, peshkimi, modernizimi i infrastrukturës dhe digjitalizimi:
- Zhvillimi rural- 8,4 miliardë lekë të dedikuara për mbështetjen e drejtpërdrejtë të fermerëve dhe investimet në ferma.
- Siguria ushqimore- Rreth 3 miliardë lekë për forcimin e kontrolleve dhe rritjen e kapaciteteve laboratorike.
- Këshillimi bujqësor dhe peshkimi- 872 milionë lekë për shërbimet e këshillimit bujqësor dhe 727 milionë lekë për sektorin e peshkimit dhe akuakulturës, krahas investimeve në rrjetet e ujitjes dhe kullimit.
Lehtësitë fiskale për fermerët
Krahas fondeve buxhetore, ministri theksoi se projektbuxheti i vitit 2027 shoqërohet edhe me masa fiskale në mbështetje të prodhimit vendas, ku veçohet dyfishimi i fondit për kompensimin prej 10% të autofaturave të fermerëve.
“Më shumë mbështetje për fermerët, ulje të kostove të prodhimit, investime dhe siguri ushqimore, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të bujqësisë shqiptare dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian”, deklaroi ministri Salla.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



