Regjistrimet tek “Shkencat e Natyrës” – Rriten kërkesat për programet e alternuara, 600 studentë të regjistruar

Arsim | 12 muaj më parë

Të gjithë studentët që nuk kanë mundur të regjistrohen në raundin 1 dhe 2 të pranimeve në universitet, do t’u jepet shansi të regjistrohen në fazën e hapur nga data 13-24 tetor.

Janë rreth 600 studentë që janë regjistruar në 2 raundet e para në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ku ndër degët më të kërkuara rezultojnë ato të Informatikës dhe Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.

Dekanja e këtij fakulteti, Eglantina Kalluçi, sqaron se për fazën e hapur kanë mbetur në fakultetin që ajo drejton edhe 30% e kuotave të lira.

“Fakulteti i Shkencave të Natyrës këtë vit ka një rritje të numrit të regjistrimeve. Studentët që janë të regjistruar në programet Matematikë, Fizikë, Biologji apo Kimi, janë studentë të regjistruar që në raundin e parë dhe praktikisht me mesatare të larta”, tha Kalluçi.

Për shkak të riorganizimit të programeve të Fizikës dhe Kimisë në Fizikë Kompjuterike dhe Kimi Farmaceutike, konfirmohet edhe një rritje e kërkesave nga të rinjtë në këto degë.

“Programet e riorganizuara vijojnë të ruajnë trendin e vjetshëm. Ne e eksperimentuam vitin e kaluar dhe rezultoi një iniciativë pozitive. Riorganizimi tërhoqi interesin dhe vijon të jetë me të njëjtin trend rritës. Kjo ishte në fakt ajo që solli rritjen e numrit të regjistrimeve, në nivel fakulteti, në masë 10 për qind, krahasuar me vitin e shkuar”, nënvizoi ajo.

Kërkesat e këtij viti do të ndikojnë në përcaktimin e atyre programeve që kërkojnë ndërhyrje për riorganizim në vitin e ardhshëm.

“Vitin që vjen ne do të jemi duke riorganizuar programet Bachelor në Matematikë dhe gjithashtu do të riorganizohen programet Master”, theksoi ajo.

Në fazën e hapur, që zgjat 12 ditë, studentët do të kenë mundësi të regjistrohen në ato programe ku kanë mbetur kuota të lira.

Gazetare: Keti Toroveci

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme