Manastiri i Zvërnecit nuk “njeh” stinë, të huajt: Një vend i bukur plot histori, çlodhës dhe i paqtë

Aktualitet | 12 muaj më parë

Manastiri i Zvërnecit vijon të mbetet një nga atraksionet turistike më të frekuentuara të Vlorës, që tërheq vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj. I vendosur mes gjelbërimit dhe ujërave të lagunës së Nartës, ky monument kulturor me stilin bizantin vijon të ngjallë kureshtje për historinë  dhe arkitekturën.

Edhe këtë fundjavë, Zvërneci ka pritur turistë nga Kanadaja, Gjermania, Italia, Franca dhe Spanja, të cilët thonë se është një ndalesë e domosdoshme gjatë eksplorimit të jugut të Shqipërisë.

“Jemi nga Kanadaja. Vlora është shumë e bukur, mund të bësh shumë aktivitete dhe është afër detit. Ne kemi bërë edhe një udhëtim me varkë. Në manastir duhej të na shoqëronte turi, por u anulua, ndaj vendosëm të merrnim makinë me qira dhe të vinim vetë, nuk mund ta humbnim këtë vend”, shprehen turistët nga Kanadaja.

“Vij nga Leçe, Itali. Është hera e parë që vij në Vlorë dhe më duket një qytet shumë i bukur.Kam parë qendrën historike, ndërsa tani po vizitojmë lagunën dhe manastirin. Kemi bërë edhe një udhëtim me skuter në det dhe kemi parë plazhe të mrekullueshme” tha turisti.

 “Unë jam nga Gjermania. Është hera jonë e parë këtu dhe është e vështirë të them se çfarë më pëlqen më shumë, sepse më pëlqen çdo vend. Kam qenë në Gjirokastër, Berat dhe Ksamil. Dua të vij përsëri në Vlorë”, tha turisti gjerman.

“Vijmë nga Spanja. Erdha sepse shumë njerëz atje po flasin për Shqipërinë. Thonë se është një vend shumë interesant, i bukur, mikpritës dhe i lirë. Kam parë vetëm pak nga Vlora deri tani, por dua ta shoh të gjithën nga fillimi në fund. Vetë ndoshta nuk do të kthehem më, sepse jam i moshuar, por do t’ua sugjeroj nipërve të mi”, vlerësuan turistët.

Largësia nga qendrat e banuara e bën këtë vend edhe më magjepsës, ndërsa vizitorën zhyten në natyrën mistike e të paqtë.

Ishulli i Zvernecit është një ishull brenda Lagunës së Nartës në Shqipërinë jugore. Ishulli është pothuajse i mbuluar me pemë të larta pishe. Është 430 metra në gjatësi dhe ka gjerësi maksimale 300 metra.

Ishulli i Zvërnecit lidhet me territorin nga një urë druri me gjatësi 270m. Ishulli është një atraksion turistik, sepse përmban edhe Manastirin e mirënjohur të Zvërnecit të shek. XIII-XIV të Perandorisë Bizantine. Pranë ishullit gjendet fshati që mban të njëjtin emër dhe ka një sipërfaqe rreth 9 hektarësh.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme