EURO U-19 për vajza/ Shqipëria e nis me fitore, triumfon me përmbysje ndaj Qipros

Kombëtarja shqiptare e vajzave U-19 e nisi me fitore aventurën e saj në raundin e parë të kualifikueseve të Kampionatit Europian, duke mposhtur me përmbysje Qipron me rezultatin 2-1. Në një ndeshje mjaft të luftuar dhe me raste nga të dyja skuadrat, në fund ishte ekipi kuqezi që festoi fitoren e parë në Grupin B1.
Trajnerja Daniela Kodra e nisi ndeshjen me këtë formacion: Reshiti, Sherifi, Rushaj, Kadiolli, Bajramaj, Demiraj, Bekteshi, Malaj, Reçi, Osmani, Nuha. Ndërkohë, në pjesën e dytë u aktivizuan edhe Hysa, Kaçorri dhe Alushaj.
Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, me Shqipërinë disi më kërkuese. Skuadrës kuqezi i mungoi fati në minutën e 27-të, kur Osmani goditi traversën. Pak momente më vonë, Qipro kaloi në avantazh në rastin e parë të krijuar, me Petkovskin, e cila përfitoi nga një top i kthyer prapa. Shqipëria reagoi dhe arriti të barazonte pa përfunduar pjesa e parë. Demiraj shfrytëzoi harkimin e Kadiollit nga goditja e këndit, duke realizuar golin e barazimit.
Pjesa e dytë pati të njëjtën panoramë, me Shqipërinë që vijoi të kërkonte golin, ndërsa Qipro e pati të vështirë të gjente hapësira. Në minutën e 53-të, Osmani realizoi golin e përmbysjes, duke ndezur festën në kampin kuqezi. Deri në fund, Shqipëria e administroi mjaft mirë rezultatin, ndërsa Qipro nuk arriti të krijonte raste të rrezikshme për shënim.
Tri pikë të rëndësishme për Shqipërinë, që hedh tashmë kandidaturën për kualifikimin në raundin e dytë drejt kampionatit europian. Kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e radhës të hënën, përballë Moldavisë, sërish në “Shtëpinë e Futbollit”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



