Formimi profesional me kurrikula të reja në Shkodër – Zejtaria, fusha më e re në listën e trajnimeve
Kërkesat për t’u trajnuar në profesione që kërkohen në tregun e punës janë gjithnjë në rritje. Ky trend ka bërë që Qendra e Formimit Profesional në Shkodër të zgjerojë vazhdimisht gamën e kurseve të trajnimit. Së fundmi, në listën e programeve është përfshirë edhe fusha e zejtarisë, me disa profile të reja që synojnë rikthimin e vlerave tradicionale dhe zhvillimin e aftësive praktike për tregun lokal.
“Një risi tashmë është dhe fusha e zejtarisë, punime me grep dhe makram. Kemi menduar të hapim këtë kurs në mënyrë që të lidhim hobin me profesionalizmin. Kemi bërë një punë shumë të madhe për hapjen e kësaj kurrikule dhe do të përdoret në të gjitha qendrat e Shqipërisë”, u shpreh Irma Lohja, drejtuese e Qendrës së Formimit Profesional, Shkodër.
Sipas drejtueses së qendrës, aktualisht janë në proces hartimi edhe kurrikula të tjera, të cilat bazohen në kërkesat reale të tregut të punës dhe nevojat e bizneseve.
“Qendra është në punim formimi tezgjahu për të cilën ka kërkesa sepse këto kurrikula hartohen në lidhje me kërkesat e tregut”, tha ajo.
Vetëm gjatë këtij viti, nga janari deri në shtator, Qendra e Formimit Profesional në Shkodër ka ofruar 25 kurse në drejtime të ndryshme, ku janë trajnuar rreth 700 punëkërkues, kryesisht të rinj që synojnë integrimin në tregun e punës ose nisjen e një veprimtarie të pavarur.
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





