Regjistrimet në universitete – Raundi i tretë deri në 24 tetor, parashikohen rreth 22 mijë studentë
Edhe pse viti akademik ka nisur, regjistrimet për në universitet do të vijojnë edhe në pjesën e parë të javës së ardhshme.
Në raundin e tretë të regjistrimeve rezultojnë deri më tani 700 studentë që e kanë bërë përzgjedhjen e tyre, ndërsa deri më 24 tetor, studentët do të mund të regjistrohen në fakultet për ato programe studimi ku ka ende kuota të lira.
“Ecuria e këtij raundi është e mirë, duke pasur parasysh që jemi vetëm në katër-pesë ditët e para. Kemi mbi 700 e ca maturantë të regjistruar dhe janë rreth 1.900 maturantë nga raundi i dytë, të cilët kanë mundësinë të vijojnë edhe në raundin e tretë. Ditën e martë u mbyll afati për maturantët që do të hyjnë me formularin A1Z, që të hidhet në portal dhe të vijojë procesi i aplikimit pranë fakultetit,” thotë drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar (RRASH), Arjan Xhelaj.
Ai sqaron se me këto ritme që po ecën procesi i regjistrimit parashikohet që gjatë pesëditëshit të fundit të regjistrohen edhe rreth 1.000 studentë të tjerë.
“Me këtë ecuri, duke qenë se pak nga pak po i afrohemi 21-mijëshit, është potencial i mjaftueshëm për të kaluar atë kufirin e 22-mijëshit, i cili këto vitet e fundit nuk është arritur,” shprehet z. Xhelaj.
Për programet që rezultojnë me një numër të reduktuar studentësh, z. Xhelaj këshillon të ndiqen shembujt e suksesshëm të universiteteve që i kanë riorganizuar programet e tyre.
“Programet të cilat ndër vite rezultojnë me pak interes nga maturantët, mbase duhen riorganizuar në një format tjetër,” thotë drejtori i RRASH-it.
Deri më tani rezulton pothuajse i njëjti numër studentësh të regjistruar me atë të një viti më parë. Deri në mesin e javës së ardhshme, kur dhe do të përmbyllet i gjithë procesi i regjistrimit, parashikohet që ky numër të tejkalohet.
Gazetare: Keti Toroveci
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





