Ndalimi i celularëve në shkolla – Afro 1 muaj e gjysmë pas hyrjes në fuqi, urdhri zbatohet në shumicën e institucioneve
Ky është rituali i çdo mëngjesi për të gjithë ata nxënës të shkollave 9-vjeçare e të mesme që, për arsye të ndryshme, marrin aparatet celulare në shkollë.
Dorëzohen në dollapin e klasës në orën 8 të mëngjesit dhe rimerren përsëri në përfundim të procesit mësimor, kur nxënësit largohen nga shkolla
Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit i gushtit të këtij viti ndalon përdorimin e aparateve celulare në ambientet shkollore.
Po çfarë ndodh sot, 1 muaj e gjysmë pas nisjes së vitit shkollor? A kanë mundur nxënësit t’i përdorin celularët brenda ambienteve shkollore apo jo?
Drejtoresha e shkollës “Qemal Stafa”, Klotilda Jaupi, sqaron se rregullorja zbatohet rregullisht çdo ditë, por nuk mungojnë edhe ata nxënës që përpiqen ta anashkalojnë rregulloren, duke u përballur me masa penalizuese.
Këto janë rastet kur nxënësit marrin me vete pajisje të ndërlidhura me celularët.
“Nuk është thjesht ndalimi i përdorimit të celularëve, por edhe i pajisjeve të ndërlidhura me ta. Ky është një problem më vete dhe shumë mirë që është shtuar në udhëzim, sepse nxënësi mund të vendosë në ato raftet që ju patë në klasa telefonin celular, mirëpo mund të ketë orë telefon, pajisje të ndërlidhura që kanë një rreze veprimi dhe mund të kopjojnë, filmojnë ose të bëjnë elementë që mund të cenojnë privatësinë e fëmijëve të tjerë në ambientet e shkollës. Ne kemi pasur rast që kemi kaluar deri në paralajmërim për uljen e notës në sjellje, që është masa më e lehtë që japim ne si komision”, tha drejtoresha.
Po çfarë parashikon rregullorja kur nxënësi këshillohet disa herë dhe veprimi përsëritet?
“Nëse kemi rast të përsëritur, kemi masa të cilat merren nëpërmjet komisionit të disiplinës dhe që shkojnë deri në përjashtim nga shkolla”, shprehet mësuesja.
Nxënësit pranojnë që i marrin aparatet celulare me vete për shkak të angazhimeve të ditës, por në ambientet shkollore nuk mund t’i përdorin.
“I marrim pasi kemi angazhime pas shkolle dhe për këtë arsye na duhen”.
“Po, celularin e kam marrë që në fillim të shkollës, pasi shtëpinë e kam larg nga shkolla dhe jam në punë pas mësimit, më duhet të flas me prindërit”.
“E marrim, por e dorëzojmë para nisjes së mësimit. Përveç komunikimit me prindërit, pas shkolle jam direkt në stërvitje dhe më duhet”, shprehen nxënësit.
Deri më tani, në shkollë janë marrë masa këshilluese ndaj nxënësve që nuk e kanë dorëzuar celularin dhe, në shumë pak raste, masa qortuese dhe vërejtje.
Gazetare: Keti Toroveci
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





