Naftëtarët e Marinzës në grevë urie, Shahu: Drejtuesit e kompanisë na bëjnë presion të rikthehemi në punë
Dritan Shahu, njëri nga naftëtarët i futur në grevë së bashku me kolegët e tij në Marinzë prej 7 ditësh, ka rrëfyer për emisionin ‘Në Kohë Reale’ të moderuar nga Flori Gjini, në RTSH1, situatën dhe kërkesat e të gjithë grevistëve.
“Sot kemi pasur një takim me shoqërinë “Bankers” e cila ka kërkuar takim, na dhanë të njëjtën gjë, ofrojnë vetëm të drejtat e trajtimit ushqimor gjë e cila nuk zgjidh problemet, të cilat ne kemi kërkuar. Të gjithë bashkë ne kemi vendosur që të vazhdojmë grevën deri në realizimin e kërkesave tona”, tha Shahu.
Shahu ka theksuar se problem i naftëtarëve vijon që prej vitit 2024 dhe ende nuk është gjetur një zgjidhje duke bërë që ata të zhvillojnë tubime dhe së fundmi të ndërmarrin aktin e grevës së urisë.
“Ky shqetësim nuk është se ngrihet sot nga ana jonë. Ne kemi që nga viti 2024 me shoqërinë për adresimin dhe zgjidhjen e këtyre problemeve dhe nuk kemi arritur dot një zgjidhje, duke na çuar në disa tubime dhe së fundmi në grevë ”, u shpreh Shahu.
Ai vuri në dukje më tej se një prej grevistëve ka humbur ndjenjat, është shembur në tokë dhe më pas është dërguar në spital ku edhe ka marrë trajtimin mjekësor.
“Ka qenë 3 herë ambulanca pranë ambienteve të grevës. Një grevist i cili ka pezulluar punën sipas vendimit tonë, ka humbur ndjenjat. Nga humbja e ndjenjave është shembur në tokë. Ka thyer edhe krahun. Është dërguar menjëherë në spitalin e Fierit dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Kjo ka ardhur për shkak të trysnisë, ankthit, stresit dhe prej gjithë kësaj situate të krijuar ka bërë që të humbasë ndjenjat dhe të shembet në tokë”, theksoi më tej Shahu.
Ai shtoi më tej drejtuesit e kompanisë janë duke ushtruar presion mbi grevsitët në mënyrë që ata të kthehen në punë.
“Përgjatë ditëve të fundit janë kontaktuar punonjësit për t’u rikthyer në vendet e punës, nga shefat dhe menaxherët e tyre. Gjitashtu edhe nga menxhamenti i lartë ku ka diskutime të përditshme midis drejtuesve kinezë dhe menaxherëve shqiptarë për t’i dhënë fund grevës, duke intimiduar punonjësit që të kthehen në punë. Ka pasur edhe një memorandum ku është thënë që të gjithë ata që mbështesin grevën dhe kanë hyrë në grevë urie pas tre ditëve do të hiqen edhe nga puna, gjë e cila është e paligjshme. Këtu greva është e ligjshme dhe këtu kanë shpallur grevë të gjithë punonjësit dhe do të vazhdojmë deri në realizimin e kërkesave tona”, deklaroi Shahu për emisionin ‘Në Kohë Reale’.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




