Rrëfimi i Luiza Gegës, nga sfidat te dashuria: “Jeta ime si gara me pengesa, s’ka qenë kaq e thjeshtë”

Lifestyle | 12 muaj më parë

Atletja kampione Luiza Gega ishte e ftuara e Andri Xhahut në Radio Tirana 1, në një rrëfim për sfidat e sportit, por edhe për dashurinë. 

Ndonëse Gega ruan një profil të ulët, ditëve të fundit në media është folur për raportin e saj me trajnerin dhe partnerin në jetë, Taulant Stërmasi. “Unë jam e varur pas ndjenjave,” shprehet Luiza duke shtuar se nuk bën asgjë në jetë nëse nuk e ndjen. “Thjesht erdhi momenti! Menduam ta bënim lidhjen tonë më familjare sepse vijmë nga familje tradicionale. Më tepër për prindërit sepse për mua nuk ka rëndësi unaza në gisht apo martesa. Njerëzit nuk i mban kjo, por mirëkuptimi.”

Për shumë vite Luiza dhe Taulanti kanë punuar bashkë. “Shikoja që ai kishte pasion të madh për sportin. Falë tij jam këtu ku jam sot!” Megjithatë ndjenja mes tyre lindi kohë më vonë. “Kjo ka ndodhur kohët e fundit sepse ne prej shumë vitesh ishim beqarë të dy. Vjen një moment që ti ndan shumë kohë me dikë, fillon e njeh të mirat dhe defektet. Dashje pa dashje i pranon të gjitha sepse e di me kë ke të bësh. Kalonim shumë kohë bashkë çdo ditë në stërvitje. Edhe kur nuk ke stërvitje do flasësh se si ndihesh me muskujt ose a je e lodhur. Është e paevitueshme. Nuk ka ardhur nga sot nesër por krejt natyrshëm dhe gradualisht.”

Pavarësisht këtij raporti, Gega pranon se në pistë, Taulanti për të është trajneri. “Di t’i ndaj gjërat. Dhe sot e kësaj dite kur jam e rrethuar me sportistë të tjerë në pistën e vrapimit unë vazhdoj t’i them trajneri. Jashtë pistës flasim ndryshe.”

Në lidhje me sfidat me të cilat është përballur gjatë karrierës, ajo nuk mohon edhe që ka pasur raste kur ka derdhur edhe lot. “Njerëzit që derdhin lot jo patjetër janë të dobët. Nuk e përcakton kjo sa e fortë je. Unë jam emocionale si natyrë. Përfshihem shumë. Kur marr diçka përsipër mundohem të jap maksimumin tim. Do apo nuk do, jeta është fiks si gara me pengesa që unë bëj. Jeta ime s’ka qenë kaq e thjeshtë dhe e bukur. Më është dashur të kaloj vështirësi në sport dhe në jetën familjare.”

Një nga rastet më të vështira, Gega kujton garën e Europës në vitin 2011. “Kam qenë e fundit në Europë dhe më pas dola e para. Vërtetë isha sportistja më e mirë në Shqipëri, por nuk e dija çfarë më priste atje. Kur dola e fundit, madje me diferencë, u ndjeva jashtë mase shumë keq. Ishte hera e parë që përfaqësoja Shqipërinë në një aktivitet kaq të madh. Mirë për vete, po unë përfaqësoja ngjyrat e flamurit tim dhe kjo më vrau më shumë. Kur u kthyem, i them trajnerit që nuk do shkoj kurrë në një aktivitet të tillë nëse nuk jam gati.”

Por në vitin 2016, Luiza Gega shpallet nënkampione e Europës. “Nuk do ta harroj kurrë këtë moment. Po prisnim të merrnim medaljet. Presidenti i Federatës Ballkanike më thotë: ‘Luiza çfarë po bën? Pse po rri kaq e qetë? E kupton çfarë ke bërë për vendin tënd? Ti duhet të bësh festë, vendi yt duhet të bëjë festë!’ Ndërkohë unë nuk dija si të festoja, sepse nuk më kishin mësuar me këtë ndjenjë.” 

Pavarësisht se në vitin 2011 doli e fundit, Luiza Gega u shpall kampione e Europës në vitin 2022 falë këmbënguljes dhe punës së palodhur. E pyetur se kush gëzon më shumë për arritjet e saj, ajo apo Taulanti, Gega përgjigjet: “Besoj Taulanti! Ai më shtyn të kem më shumë besim.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme