Ksamili në vjeshtë, temperaturat e buta mbajnë gjallë sezonin turistik

Turizëm | 11 muaj më parë

Edhe pse jemi në stinën e vjeshtës, Ksamil vazhdon të presë pushues vendas dhe të huaj. Temperaturat e buta dhe moti me diell kanë bërë që shumë vizitorë të zgjedhin këtë periudhë për të shijuar qetësinë dhe bukurinë e bregdetit, larg zhurmës së sezonit veror.

Edhe përgjatë ditëve të vjeshtës Ksamilit duket se nuk i mungojnë pushuesit. Janë ditët me diell dhe temperaturat e buta që kanë bërë që pushuesit të zgjedhin këtë destinacion për të vizituar , madje ata nuk ngurojnë edhe të notojnë në ujërat e kristalta të këtij destinacioni të preferuar.

“Moti është i mrekullueshëm dhe nuk ka shumë turma. Uji është ende perfekt për not dhe vendi është shumë mikpritës. Fëmijët po e shijojnë shumë detin edhe ne po ashtu”, thotë një turiste.

“Është kënaqësi të vish në Ksamil në vjeshtë. Ka diell, deti është ende i ngrohtë dhe gjithçka shumë më e qetë se në verë. Mund të shijosh plazhin pa rrëmujë, dhe pamja është fantastike”, u shpreh një turist.

Shumë të huaj preferojnë pikërisht këtë periudhë për pushimet e tyre familjare, për të shijuar qetësinë dhe bukurinë e zonës larg fluksit të verës.

“Për mua, kjo stinë është ideale për t’u larguar nga ritmi i përditshëm dhe për të rifituar energji ndaj e zgjodhëm për pushime. Ka edhe çmime më të lira se ato që mbizotërojnë gjatë verës“, tha turistja.

“Zgjodhëm  vjeshtën sepse është më qetë dhe nuk ka shumë njerëz. Për mua kjo stinë është perfekte për pushime relaksuese me familjen”, tha turisti.

Vjeshta në Ksamil vjen ndryshe ,me më pak zhurmë, por me të njëjtën magji që e bën këtë vend të veçantë. Bukuritë natyrore dhe klima e ngrohtë e bëjnë Ksamilin një destinacion që e sfidon sezonin, duke dëshmuar se pushimet në jug nuk mbarojnë me verën.

Gazetare: Boralda Pëllumbi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme