Rriten kërkesat për master – Një pjesë përzgjedhin degën ku janë shkolluar, të tjerë ndryshojnë
Pas përfundimit të studimeve bachelor, hapi i radhës për çdo student është të vendosë të vazhdojë një program master për të përfituar aftësi të reja profesionale apo të punësohet diku.
“Pas bachelor, do vijoj me masterin. Edhe unë po ashtu do të vijoj shkollën”, u shprehën nxënësit, ndërsa pati dhe nxënës që do të fillonte punë pas bachelor-it. “Punë, punë direkt”, tha ai.
Rektori i Universitetit Politeknik, Akli Fundo, sqaron se për këtë vit ka një rritje të kërkesës për programet e ciklit të dytë të studimeve.
“Në mastera ndjehet sivjet një dyndje drejt Universitetit Politeknik, jo vetëm e studentëve që mbarojnë bachelor-in, por është vërtet shumë e ndjeshme këtë vit edhe nga universitetet e tjera që vijnë për të ndjekur masterat tek Universiteti Politeknik”, tha rektori Fundo.
Por çfarë ndodh pas përfundimit të bachelor-it? Studentët shkëputen për disa vite nga shkolla për të ndërtuar karrierën e më pas i rikthehen studimeve, apo e kundërta?
“Në përgjithësi, tendenca është që menjëherë sapo mbarojnë bachelor-in vijnë, por ka edhe studentë që marrin një vit për të fituar eksperienca të tjera punësimi dhe pastaj vijojnë masterin”, theksoi ai.
Një rritje e kërkesës për mastera konstatohet edhe në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, si pasojë edhe e riorganizimit të këtyre programeve.
“Nëse do flasim për programet mësuesi, për pesë programet e mësuesisë që janë matematikë, fizikë, kimi, biologji dhe informatikë, aktualisht, për vitin që vjen do të kemi rreth 80–90 të regjistruar. Ndërkohë, numri në master është më i madh, pra është dyfishi i këtij numri”, tha dekania e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Eglantina Kalluci.
Diplomimi në një program master i jep mundësi çdo studenti të aplikojë për pozicione më të avancuara, si dhe të sigurojë një vend kyç në kompani të ndryshme që operojnë në treg.
Gazetare: Keti Toroveci
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





