Diploma të dyfishta në “Eqrem Çabej”- Në proces çelja e “Infermierisë” me universitetin e Piemontes
Hapja e programeve të përbashkëta me universitetet europiane është një nga prioritetet e Universitetit të Gjirokastrës.
Së fundi, kanë nisur procedurat për çeljen e një programi të tillë në Infermieri, këtë herë me Universitetin e Piemontes në Itali.
“Është një program i cili do t’u japë hapësira të reja studentëve tanë. Një program që i afron akoma më shumë jo vetëm me tregun vendas, por mbi të gjitha me tregun europian, ku Universiteti i Piemontes, duke qenë se është një universitet elitë në fushën e mjekësisë, ofron punësimin e të gjithë studentëve që do të ndjekin studimet. Cikli i leksioneve do të zhvillohet nga pedagogë italianë dhe shqiptarë,” – shprehet rektori Jahi Cano.
Aktualisht, ky institucion akademik ofron disa programe të përbashkëta në të tria ciklet e studimit, të cilat kanë sjellë edhe një rritje të prurjeve këtë vit akademik.
“Kemi katër programe të përbashkëta studimi me universitete europiane, ku të gjitha janë me universitete italiane. Ndërkohë, kemi edhe programin e përbashkët të shkollës doktorale me Universitetin e Kozanit, i cili tashmë është implementuar dhe po zbatohet plotësisht”, tha ai.
Sivjet, Universiteti i Gjirokastrës priti mbi 150 studentë më shumë se një vit më parë. 520 të rinj filluan për herë të parë studimet në 22 degët bachelor.
Gazetare: Yllka Ponde
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





