Një jetë në profesionin e mësueses, pasioni i Juditës mes muzikës dhe letërsisë

Arsim | 11 muaj më parë

I ka kushtuar tërë jetën muzikës dhe është përpjekur që këtë dashuri ta transmetojë edhe tek të rinjtë. Mësuese Judita, që në moshë të vogël ndiqte shkollën 9-vjeçare, vendosi se profesioni që do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës ishte mësuesia, edhe pse ky vendim nuk u përkrah nga prindërit e saj.

“Mendoj se sa herë të kthehesha, mësuesinë do të zgjidhja. Që e vogël kam dashur fjalën, librat dhe njerëzit dhe kjo tregon shumë se pse unë zgjodha këtë profesion. Dëshira ime për artin ishte shumë e madhe sa doja të vijoja Liceun, por prindërit nuk donin. Vajta e vetme, konkurrova dhe fitova dhe kur shkova në shtëpi prindërit nuk kishin ca bëni më dhe më thanë “suksese””, tha ajo.

Pas përfundimit të studimeve, ajo nisi punën në Vlorë dhe gjatë 26 viteve ka ushtruar profesionin e saj në disa institucione arsimore. Aktualisht, mësuese Judita jep mësim në Shkollën 9-vjeçare “Kosova” në Tiranë. Ajo e konsideron veten me fat që i është dhënë mundësia të punojë me fëmijë, ku ka mundur të gëzohet dhe emocionohet së bashku me ta.

“Nxënësit për mua janë frymëzim. Kam fëmijë shumë të talentuar dhe jemi prezantuar denjësisht në shumë koncerte”, tha ajo.

Por, përveç muzikës, një tjetër pasion i madh që e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës është edhe letërsia. Tashmë, ajo është autore e dy librave, njëri me poezi dhe tjetri në prozë.

“Letërsinë e kamë nisur që 12 vjeç dhe kam vijuar deri në moshën 20 vjeç. Në momentin që u pozicionova te muzika nuk u mora më fare me letërsinë. Pas 33 vitesh u ktheva pak fuqishëm, mendoja se kishte mbaruar ajo pjesë, por ka qenë brenda meje. Asnjëherë mos hiqni dorë nga ëndrra por luftoni për të se ia del”, ishte mesazhi i saj.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme