Zonat rurale të Gjirokastrës tërheqin turistët – Çifti holandez Tomas dhe Annelies shijon jetën rurale në fshatin “Asim Zeneli”
Zonat rurale të Gjirokastrës po kthehen në destinacione të preferuara për turistët e huaj. Vizitorët vlerësojnë natyrën, qetësinë dhe traditat që ofrojnë fshatrat e zonës. Së fundmi, çifti holandez Tomas dhe Annelies Soels kanë zgjedhur të qëndrojnë disa ditë në bujtinën e familjes Shuaipaj në fshatin Asim Zeneli. Qëllimi i tyre ishte të shijonin bukuritë natyrore dhe ambientin autentik rural.
“Këto janë pushimet tona. Kjo është një kohë e mirë për të shkuar me pushime. Kemi një përvojë shumë pozitive, kemi qëndruar këtu tashmë pesë ditë. Është perfekte çdo gjë”, tha turistja.
“Qëllimi ynë është të pushojmë dhe të shijojmë qetësinë e fshatit, por edhe të krijojmë vlog-e dhe përmbajtje për të ndarë me ndjekësit tanë bukuritë e kodrave dhe jetën rurale të Shqipërisë”, u shpreh turisti.
Gjatë qëndrimit, turistët janë shprehur të kënaqur me mikpritjen dhe bukuritë e fshatit, duke vlerësuar jetën rurale dhe eksperiencat që ofron kjo zonë për vizitorët që duan të largohen nga zhurma e qytetit.
“Jeta në fshat është e qetë dhe relaksuese. Na pëlqen shumë të shijojmë natyrën dhe ajrin e pastër, larg zhurmës së qytetit. Ne e vlerësojmë mikpritjen e banorëve dhe mënyrën e tyre të jetesës, që është më e ngadaltë dhe më e qetë. Kjo na jep një eksperiencë të veçantë dhe të paharrueshme”, theksoi ajo.
“Është një eksperiencë ndryshe nga jeta urbane. Fshati ka një atmosferë autentike, dhe çdo ditë këtu është një mundësi për tu rilidhur me natyrën dhe kulturën lokale”, tha ai.
Eksperienca e këtij çifti holandez tregon se zonat rurale të Gjirokastrës po bëhen gjithnjë e më tërheqëse për turistët e huaj. Bukuritë natyrore, mikpritja e banorëve dhe atmosfera autentike e fshatrave ofrojnë një përvojë të paharrueshme dhe motivojnë vizitorët të rikthehen sërish.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





