Bjeshkët e Nemuna në “National Geographic”: Terren i egër, bukuri madhështore dhe ideal për ski jashtë pistave

Turizëm | 10 muaj më parë

Prestigjiozja “National Geographic” i ka kushtuar një shkrim të veçantë Alpeve Shqiptare, të cilat formojnë një mur të egër natyror midis Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi. Sipas revistës, kjo zonë malore ofron një peizazh spektakolar, por edhe terren të ashpër, madje edhe për helikopterët që operojnë në kushte ekstreme.

Alpet Shqiptare, të shtrira përgjatë kufirit mes tre vendeve, mbeten një nga zonat më të vështira për t’u arritur në Evropë. Ujqër, arinj dhe rrëqebuj enden lirisht në këtë territor, duke kaluar herë pas here pranë vendbanimeve të izoluara bujqësore në fund të luginave. Turistët janë të rrallë, madje edhe gjatë verës, shkruan “National Geographic”.

Megjithatë, pikërisht ky izolim i ruajtur e bën zonën perfekte për ski në natyrë. “National Geographic” përshkruan Luginën e Valbonës, ku majat e thepisura që e rrethojnë e ngjajnë me Dolomitet e Italisë. Në këtë pjesë të Bjeshkëve të Nemuna nuk ka infrastrukturë dimërore: mungojnë teleferikët, pistat e skive dhe madje edhe rrugët hyrëse drejt shtigjeve malore.

Pikërisht kjo e bën rajonin ideal për ski jashtë pistave, zbritje ekstreme ose snowboarding, ku skiatorët arrijnë majat me helikopter.

Maja më e lartë e parkut kombëtar, Mali i Jezercës, ngrihet në 2,694 metra mbi nivelin e detit. Por afërsia me Detin Adriatik, ku stuhitë e dimrit mbledhin lagështi të madhe, bën që trashësia e dëborës në zonë të arrijë deri në 15 metra.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme