Oferta turistike në Libohovë – Bashkia projekte për Kullën e Sahatit dhe qendër hiking
Bashkia Libohovë ka aplikuar zyrtarisht për lejen e ndërtimit që do të mundësojë restaurimin e Kullës së Sahatit, një ndër monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të qytetit. Pas miratimit të lejes, pritet që punimet të nisin së shpejti, me synimin për ta rikthyer objektin në gjendjen e tij origjinale dhe për ta bërë më të aksesueshëm për vizitorët.
Kulla e Sahatit është një ndër pikat më të vizituara të Libohovës, duke tërhequr interes të lartë nga turistët vendas dhe të huaj. Restaurimi i saj pritet të rrisë më tej vizitueshmërinë dhe të pasurojë ofertën kulturore dhe historike të zonës. Ky monument i trashëgimisë mbetet një simbol identitar i qytetit dhe një ndalesë e domosdoshme për çdo vizitor.
“Aktualisht është aplikuar për leje ndërtimi, kemi restaurimin e kullës së sahatit presim zbardhjen e lejes për të filluar punimet”, u shpreh Xhelil Tosuni, nënkryetar.
Në kuadër të projektit, parashikohet edhe ngritja e një godine që do të funksionojë si qendër për hiking, duke u bërë pikë orientuese për të gjithë të pasionuarit pas sportit dhe eksplorimit të natyrës.
“Aktualisht jemi duke shënuar shtigjet për hiking pasi në projekt pranë kullës së sahatit është një godinë e cila do të funksionojë si projekt për hiking”, tha ai.
Paralelisht, Bashkia Libohovë po vijon me shënimin e shtigjeve të hiking me qëllim krijimin e një rrjeti të qartë e të sigurt për vizitorët, duke e kthyer zonën në një destinacion të plotë për turizmin natyror dhe aventurier.
Gazetare B.Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





