Bukuria e Urës së Mesit nuk njeh stinë, vizitorët shijojnë historinë, natyrën dhe arkitekturën e saj

Turizëm | 10 muaj më parë

Edhe pse jemi në muajt e dimrit, Ura e Mesit mbetet një nga destinacionet më të vizituara në Shkodër. Bukuria e saj historike dhe peizazhi i veçantë që e rrethon vazhdojnë të tërheqin qindra turistë e vizitorë çdo ditë. Pavarësisht temperaturave të ulëta dhe motit të paqëndrueshëm, vizitorë vendas dhe të huaj ndalen për të admiruar arkitekturën e gurit, për të fotografuar urën dhe për të shijuar natyrën që ofron zona.

“Vij nga Hungaria dhe hera e parë që kam ardhur në Shqipëri ka qenë para 12 vitesh, në qytetin e Shkodrës. Ky është një vend i bukur, me male mahnitëse dhe vende të mrekullueshme për t’u vizituar. Një nga pamjet e mia të preferuara është Ura e Mesit në Shkodër.

Gjatë këtij udhëtimi po qëndroj dy ditë në Shkodër dhe dy ditë në Tiranë, duke shijuar kulturën, peizazhet dhe mikpritjen e ngrohtë. Shqipëria vazhdon të më impresionojë sa herë që e vizitoj”, tha një prej vizitorëve.

“Un kam ardhur nga Gjermania, për të qëndruar gati dy javë në Shqipëri. Për mua është hera  parë që vij, dhe është shumë qytet i bukur dhe ka shumë potenciale natyrore për të shfrytëzuar. Erdha me biçikletë për të parë nga afër Urën e Mesit bashkë me Kalanë e Drishtit, u kënaqa. Tani nga këtu me bashkëshorten time do të vizitojmë alpet”, tha një tjetër vizitor.

Sipas operatorëve turistikë interesi për Urën e Mesit nuk bie as në sezonin e ftohtë, çka e bën këtë monument një nga pikat më të rëndësishme turistike të Shkodrës përgjatë gjithë vitit. Për shumë prej tyre, vizita në këtë urë është një përvojë unike që lidh historinë, kulturën dhe natyrën shqiptare.

Gazetar: Mirsad Rakaj

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme