Dëborë dhe ngrica në Qarkun Shkodër, autoritetet në terren. Policia thirrje shoferëve: Kini kujdes, përdorni zinxhirë

Nisin reshjet e dëborës në territorin e qarkut Shkodër. Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka bërë me dije se në zonat me fluks të lartë lëvizjeje dhe në akset rrugore ku ka prezencë dëbore dhe ngricash është shtuar patrullimi nga shërbimet e Policisë Rrugore. Policia i ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve të përdorin goma dimërore ose zinxhirë dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
Situata sipas bashkive
Bashkia Shkodër
Në territorin e bashkisë Shkodër vijojnë reshjet e shiut, ndërsa në zonat malore ka reshje dëbore. Në aksin rrugor Bogë–Theth, mjetet e firmës mirëmbajtëse ndodhen në terren dhe po kryejnë hedhjen e kripës, megjithëse në disa segmente rruga paraqitet me ngrica. Në Qafë Thore, trashësia e dëborës arrin rreth 15 cm dhe qarkullimi vijon pa probleme.
Bashkia Malësi e Madhe
Në qytetin e Koplikut vijojnë reshjet e dëborës me trashësi rreth 3 cm.
Bashkia Fushë-Arrëz
Reshjet e dëborës vijojnë me intensitet të ulët, me trashësi 5–8 cm. Rrugët janë të hapura dhe qarkullimi vijon normalisht.
Bashkia Pukë
Në territorin e bashkisë ka reshje dëbore me intensitet të ulët dhe trashësi rreth 5 cm. Momentalisht nuk raportohen situata problematike.
Prefekti i Qarkut Shkodër u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në zonat malore, si dhe të ndjekin njoftimet zyrtare të institucioneve përgjegjëse.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




