Kosova miraton buxhetin 4 miliard euro – Pas debateve në Kuvend, mazhoranca kalon në parim projektligjin për vitin 2026

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për buxhetin e vitit 2026, duke i hapur rrugë një shume rekord prej afro 4 miliardë eurosh. Me 66 vota pro, deputetët kaluan fazën e parë të këtij dokumenti që Ministri i Financave, Hekuran Murati, e konsideroi si një nevojë emergjente për vendin. Gjatë prezantimit në seancë, Murati sqaroi se pjesa më e madhe e fondeve do të shkojë për subvencione dhe paga, ndërsa premtoi një rishikim të dytë brenda muajit mars.
Megjithatë, opozita u rreshtua kundër, me PDK-n që e cilësoi draftin si një dokument që thjesht mbron gjendjen aktuale pa sjellë zhvillim. Edhe Lumir Abdixhiku nga LDK-ja shprehu rezerva të forta, duke paralajmëruar rishikim të qëndrimit politik nëse nuk merren parasysh nevojat e kryeqytetit.
Ndërkohë, AAK propozoi bojkot të procesit, pasi sipas tij qeveria nuk ka bërë asnjë ndryshim nga varianti i vitit të kaluar. Kritika pati edhe nga Lista Serbe për fondet e ndara në veri, por kryeministri Albin Kurti u kundërpërgjigj duke thënë se stabiliteti tashmë është kthyer në progres. Kreu i qeverisë u kërkoi deputetëve mirëkuptim, duke sqaruar se ndryshimet e thella do të pasqyrohen në seancën e 20 shkurtit, pas prezantimit të plotë të programit të ri.
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




