Saranda ‘hap’ sezonin turistik 2026 me kroçerën gjigante “Sapphire Princess”, e cila solli mbi 2,600 turistë në qytet

Turizëm | 7 muaj më parë

Saranda ka pritur këtë të martë kroçerën e parë për sezonin turistik 2026, anijen gjigante turistike “Sapphire Princess”, e cila mbërriti me rreth 2,672 turistë në bord.

Për shkak të përmasave të saj, anija u ankorua në rad dhe pasagjerët u transportuan drejt bregut me lançet e brendshme.

Turistët e organizuar në grupe vizituan atraksionet kryesore të qytetit dhe zonës përreth, si sinagoga ebraike, kompleksi muzeal, kalaja e Lëkurësit, si dhe destinacionet e njohura të Butrintit dhe Ksamilit.

Kroçera, e cila erdhi nga Italia, do të vijojë itinerarin e saj pasditen e sotme drejt Greqisë. “Sapphire Princess” ka një gjatësi prej 290 metrash, peshë 116 mijë ton dhe një ekuipazh prej 1,400 personash, duke e bërë një nga anijet më të mëdha që vizitojnë portin e Sarandës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme