Ekonomia e “Paketës së Maleve”, Qeveria shpall zonat me përparësi zhvillimi në 10 bashki të vendit, harta e zonave të reja, nga jugu në veri

Qeveria shqiptare ka hedhur një hap drejt jetësimit të strategjisë për zhvillimin e zonave rurale dhe malore, duke shpallur zyrtarisht dhjetëra zona në territorin e 10 bashkive të vendit si “Zona me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore”. Ky vendim, i bazuar në ligjin e ri “Për paketën e maleve”, synon të kthejë territore deri më sot të nënshfrytëzuara në pole të reja të zhvillimit ekonomik, industrial dhe turistik.
Bashkitë që preken nga kjo valë e shpalljeve përfshijnë Beratin, Dimalin, Durrësin, Himarën, Kavajën, Librazhdin, Mirditën, Rrogozhinën dhe Vlorën.
Tre shtyllat e zhvillimit, ekonomi, industri, turizëm
Sipas vendimeve të zbardhura, zonat e shpallura nuk do të jenë thjesht pika në hartë, por hapësira ku do të nxiten tre lloje kryesore aktivitetesh si zhvillimi ekonomik, mbështetje për sipërmarrjet lokale dhe agropërpunimin; zhvillimi industrial, krijimi i kushteve për prodhim dhe përpunim në harmoni me mjedisin; zhvillimi turistik, shfrytëzimi i potencialeve natyrore për turizmin e aventurës, atë rural dhe kulturor.
Harta e zonave të reja, nga jugu në veri
Shtrirja e këtyre zonave është e konsiderueshme, duke prekur si fshatra të thellë malorë, ashtu edhe zona kodrinore me dalje në det.
Librazhd dhe Mirditë
Këto dy bashki mbajnë peshën kryesore të sipërfaqeve të shpallura, me mbi 50 mijë hektarë në Librazhd (përfshirë Stëblevën, Polis dhe Lunikun) dhe sipërfaqe masive në Mirditë (Fan, Orosh e Rubik), ku turizmi malor dhe industria nxjerrëse pritet të kenë hov të ri.
Himarë dhe Vlorë
Në jug, fokusi mbetet te gërshetimi i detit me malin. Zona si Palasa, Piluri, Kuçi dhe Borshi në Himarë, apo Tragjasi e Dukati në Vlorë, marrin statusin special për të thithur investime në turizëm dhe infrastrukturë.
Durrës, Kavajë dhe Rrogozhina
Edhe bregdeti i Shqipërisë së Mesme përfiton nga paketa. Fshatrat e Ishmit e Manzës në Durrës, dhe zonat si Kryevidha e Gosa në Rrogozhinë, do të jenë nën lupën e investitorëve për projekte agroturistike dhe ekonomike.
Berat dhe Dimal
Në Qarkun e Beratit, dhjetëra fshatra në Otllak, Velabisht e Sinjë marrin statusin e zonës malore, duke u dhënë përparësi prodhimeve tradicionale dhe turizmit të zonës së mbrojtur të Tomorrit.
Zbatimi dhe mbikëqyrja
Për jetësimin e këtyre vendimeve janë ngarkuar një sërë institucionesh, ku peshën kryesore e mban Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe bashkitë përkatëse. Këto institucione duhet të garantojnë që investimet të jenë në përputhje me planet rregulluese dhe të sjellin impakt real në punësimin e banorëve të këtyre zonave.
Ky hap i qeverisë shihet si një përpjekje për të ofruar stimuj për të investuar në “ekonominë e gjelbër” dhe për të kthyer vëmendjen te pasuritë natyrore të brendshme të vendit.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





