Berisha: Fermerët po përballen me vështirësi, kërkohet mbështetje më e madhe për naftën dhe prodhimin bujqësor

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me fermerët në qarkun e Beratit, ngriti shqetësimin për politikat e qeverisë në lidhje me subvencionimin e naftës dhe mbështetjen e sektorit bujqësor.
Berisha u shpreh se fermerët janë ndër shtresat më të prekura nga kostot e larta të prodhimit.
“Askush nuk e ka fitimin me më shumë mund sesa fermeri. Askush nuk është më i kërcënuar nga faktorë të shumtë sesa fermeri,” tha ai, duke shtuar se çmimi i naftës e bën punimin e tokës të paleverdishëm.
Ai kritikoi deklaratat e kryeministrit për subvencionet e naftës, duke i cilësuar si të pavërteta, që sikurse ai theksoi “Në Europë nuk ka vend që nuk subvencionon naftën për fermerët. Përkundrazi, vende si Gjermania e kanë dyfishuar subvencionimin”.
Kreu i opozitës paralajmëroi se mungesa e mbështetjes po çon drejt braktisjes së tokës dhe rritjes së çmimeve të produkteve bujqësore.
“Kjo sjell toka djerrë, largim masiv nga Shqipëria dhe rritje të çmimeve stratosferike. Shqiptarët ushqehen me zarzavate të importuara, ndërsa fermerët vendas falimentojnë,” tha ai.
Berisha solli shembuj nga vendet e rajonit, duke përmendur Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, ku subvencionet për fermerët janë disa herë më të larta se në Shqipëri.
“Kosova ka katërfishin e subvencioneve që ka Shqipëria. Mali i Zi, me 400 mijë banorë, jep këtë vit rreth 75 milionë euro për fermerët” u shpreh ai.
Sipas Berishës, falimentimi i fermerëve është një dramë që prek jo vetëm familjet e tyre, por edhe shoqërinë në tërësi.
“Ju jeni 38-39% e popullatës dhe prodhoni rreth 19% të prodhimit kombëtar, por merrni vetëm 0.2% mbështetje. Kjo është e papranueshme) deklaroi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



