900 ankesa për cenim të të dhënave personale, ligji i ri ka shtrënguar masat

Aktualitet | 3 muaj më parë

Zyra e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale numëron një numër të lartë ankesash me anë të të cilave subjektet janë drejtuar. Meri Kujxhija, Drejtore e Ankesave dhe Harmonizimit, thekson se subjekt i 900 ankesave të mbërritura në vitin 2025 janë edhe rastet e nxjerrjes së të dhënave personale në media.

“Numri i ankesave është dyfishuar në raport me vitet e mëparshme dhe ky trend rritës vërehet edhe muajin e parë të këtij viti. Kryesisht ankesat kanë të bëjnë me të drejtat e subjekteve të dhënave, pra të individëve. Individët janë ankuar lidhur me të drejtën e aksesit në të dhënat e tyre personale. Subjektet janë ankuar edhe për përhapjen e të dhënave pa pëlqimin e tyre. Numri i ankesave për vitin 2025 ka qenë 900.” – u shpreh Drejtoresha e Ankesave, IDP, Meri Kujxhija.

Ajo që mbetet ende një problem është publikimi i të dhënave nga mediat online, të cilat shpesh janë të paidentifikueshme. Ligji përcakton sanksione të larta, ndërsa gjobat arrijnë deri në 2 miliard lekë.

“Shpesh herë, sidomos portalet nuk janë të kujdesshme për të dhënat që hedhin. Kryesisht kemi të bëjmë edhe me të dhëna të miturve shpesh herë. Pra, media duhet paraprakisht të bëjë një test të interesit publik në raport me mbrojtjen e të dhënieve personale. Kemi pasur raste, jemi drejtuar medias me anë të së cilës shpeshherë mediat kanë reaguar; mediat serioze në fakt marrin masat në mënyrë të menjëhershme, por ka edhe portale të cilat nuk janë lehtësisht të identifikueshme dhe kjo qëndron një problematikë në aspektin e identifikimit dhe ushtrimit të funksioneve mbikëqyrëse të Zyrës së Komisionerit.”

Pas reformimit të thellë që pësoi ligji “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, me rëndësi është roli i nënpunësit të mbrojtjes së të dhënave, emërimi i të cilit nuk është zbatuar ende nga të gjitha institucionet.

“Nëse do ketë rrjedhje të të dhënave personale, janë të detyruar brenda 72 orëve të njoftojnë Zyrën e Komisionerit. Ligji përcakton sanksione të larta në raport me legjislacionin e mëparshëm; gjobat arrijnë në shifra deri në 2 miliard lekë apo 4% të xhiros vjetore globale të kompanisë.”

Gazetare: E. Hasanbelli


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme