Pazari i Gjirokastrës, udhëtim mes historisë dhe traditës, turistët eksplorojnë zonën muzeale
Pazari karakteristik i Gjirokastrës po tërheq këtë fundjavë një numër të lartë turistësh vendas dhe të huaj. I shtrirë përgjatë rrugëve me kalldrëm dhe ndërtesave karakteristike prej guri, pazari mbetet një nga pikat më të vizituara të qytetit. Atmosfera e veçantë, arkitektura tradicionale dhe rrugicat e ngushta u japin vizitorëve mundësinë të njihen nga afër me trashëgiminë historike të Gjirokastrës.
“Është hera e parë që vizitojmë Gjirokastrën dhe Pazari Karakteristik na ka bërë shumë përshtypje. Rrugët me kalldrëm dhe ndërtesat prej guri i japin qytetit një pamje krejt të veçantë. Ndihesh sikur po ecën nëpër një pjesë të historisë.”
“Na pëlqen shumë atmosfera e Pazarit. Rrugicat janë shumë të bukura dhe arkitektura është fantastike. Është një vend ku mund të ecësh pa nxitim, të shijosh pamjet dhe të zbulosh nga afër traditat e këtij qyteti.”
Përveç historisë dhe arkitekturës, turistët ndalen edhe në bizneset e zonës për të shijuar mikpritjen tradicionale gjirokastrite. Gatimet karakteristike janë një tjetër element që tërheq vizitorët, me produkte dhe receta të përcjella ndër breza.
Turistët, për mikrofonin e RTSH-së:
“Njerëzit këtu janë shumë të dashur dhe mikpritës. Na kanë pritur shumë mirë dhe na kanë bërë të ndihemi si në shtëpi. Kjo është një nga gjërat që na ka pëlqyer më shumë gjatë vizitës në Gjirokastër.”
“Ushqimi është fantastik. Kemi provuar disa gatime tradicionale dhe gjithçka ka qenë shumë e shijshme. Na pëlqen fakti që përdoren produkte lokale dhe që recetat tradicionale vazhdojnë të ruhen.”
“Gjirokastra nuk është vetëm një qytet me histori dhe arkitekturë të bukur, por edhe me një kuzhinë shumë interesante. Gatimet tradicionale dhe mënyra se si na kanë pritur këtu e kanë bërë eksperiencën tonë edhe më të veçantë.”
Vizita në Pazarin Karakteristik nuk kufizohet vetëm tek shëtitja në rrugët me kalldrëm. Turistët eksplorojnë dyqanet artizanale, provojnë produktet vendase dhe ndalen në lokalet tradicionale të zonës. Kombinimi i arkitekturës, historisë, kuzhinës dhe mikpritjes e ka kthyer pazarin në një prej atraksioneve kryesore të Gjirokastrës gjatë sezonit turistik.
/rtsh/
Gazetare: B. Pëllumbi Operator: Y. Çapi Montazh: D. Hide
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





