Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës, PDK kallëzon Deharin në Prokurorinë Speciale
Partia Demokratike e Kosovës vijoi lëvizjet e saj në organet e akuzës kundër moskonstituimit të legjislaturës së Kuvendit. Këtë radhë, për shpërdorim detyre, PDK-ja akuzoi deputetin më të vjetër të Kuvendit, i cili aktualisht është drejtues i seancës konstituive, Avni Dehari.
“Partia Demokratike e Kosovës sot do të depozitojë një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj deputetit Avni Dehari, i cili, siç e dini, për shkak të moshës është drejtues i seancës konstituive, ose kryesues i saj, dhe detyrë të cilën ai nuk po e ushtron në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës dhe me Kushtetutën e Kosovës. Siç e dini, Rregullorja e Kuvendit të Kosovës kërkon që Kuvendi të mblidhet çdo 48 orë. Avni Dehari, si kryesues i kësaj seance, duhet ta mbledhë Kuvendin çdo 48 orë që të vazhdonte seancën konstituive. Përkundër se ne kemi dërguar disa letra, ai nuk ka reflektuar dhe nuk e ka thirrur seancën, vazhdimin e seancës konstituive. Prandaj, ne do të paraqesim kallëzim penal për shpërdorim të detyrës zyrtare, në përputhje me nenin 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Dehari duhet ta dijë që nuk është i pari i fisit, por është kryesues i një organi të shtetit dhe kërkohet që të veprojë”, tha Gruda.
Deputeti i PDK-së, Gruda, theksoi se forca së cilës ai i përket nuk e ndryshon qëndrimin sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit, për të cilën kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, u takua me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Ne jemi deklaruar që jemi parti në opozitë, prandaj nuk jemi pjesë e dialogut për ta zgjedhur një president. Ky qëndrim i PDK-së nuk ndryshon, pavarësisht se çfarë zhvillojnë partitë e tjera si proces. Ne e kemi caktuar pozicionin tonë, jemi në opozitë, sepse kemi besuar, pasi kemi marrë pjesë në takim me Kurtin, se ai nuk e ka ndërmend ta zgjidhë krizën në Kosovë. Prandaj, nuk marrim pjesë në këtë teatër politik”, tha ai.
PDK-ja dhe Aleanca vijuan edhe të enjten protestën e tyre para ndërtesës së Qeverisë, ku kërkuan konstituimin e Kuvendit, një proces që ka mbetur pezull pasi Lëvizja Vetëvendosje, e cila doli forcë e parë në zgjedhjet e qershorit, nuk pranon të propozojë emrin e kreut të ri të organit ligjvënës pa një marrëveshje për kreun e ri të vendit.
Sipas Vetëvendosjes, mungesa e një marrëveshjeje për presidentin mund ta çojë vendin sërish në zgjedhje të parakohshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




