Cardinale konfirmon besimin ndaj Amorim, por Milani duhet të bëjë menjëherë kthesën

Në takimin e djeshëm pronari i klubit kuqezi i ka garantuar mbështetje trajnerit portugez, por pret përgjigje të shpejtë pas humbjes së turpshme në Europë.
Debutimi në Europa League ishte tejet zhgënjyes për Milanin, që humbi me Benfikën në “San Siro”, përpara 65 mijë spektatorëve, duke lënë një shije shumë të keqe për tifozët dhe drejtuesit. Mes të zhgënjyerve ishte edhe pronari Gerry Cardinale, që ka bërë investime të rëndësishme në verë. Për drejtuesit e klubit situata nuk shihet si një krizë, por si një moment reflektimi, që kërkon kthesë të shpejtë.
Stoli i Ruben Amorim nuk lëkundet, të paktën për momentin. Portugezi u zgjodh në verë për vizionin e futbollit dominues dhe agresiv. Ai ka besimin e pronarëve, ndërkohë që ka një kontratë pluriennale, deri në 30 qershor 2029. Amorim përfaqëson një kolonë të projektit afatgjatë te Milani, ndaj dhe takimi me pronarin Cardinale ishte i qetë, pa drama.
Objektivi është për ta izoluar skuadrën nga kritikat e jashtme, për të larguar tensionin dhe nervozizmin. Tani kërkohet kthesa dhe për këtë Milani duhet të korrigjojë disa aspekte taktike, duke synuar stabilitet në mbrojtje dhe ekuilibër pa hequr dorë nga principet e lojës.
Nga ndeshja e radhës me Leçen trajneri pritet të ketë më shumë eksperiencë në skuadër, me Adrien Rabiot dhe Christian Pulisic që mund ta nisin titullarë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




