Kontrolle me dronë në Mirditë/Policia zbulon parcelën me 60 bimë narkotike, arrestohet 37 vjeçari

Aktualitet | 43 minuta më parë

Një 37-vjeçar është arrestuar në Mirditë, pasi dyshohet se kishte kultivuar 60 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa në një zonë të pyllëzuar në fshatin Xhuxhë.

Operacioni i koduar “Droni” u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, pas kontrolleve me dronë në zona të thella malore, në kuadër të luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Sipas policisë, 37-vjeçari, shtetasi me inicialet F. M., banues në Xhuxhë, u konstatua teksa kujdesej për bimët narkotike, të kultivuara në pyll dhe në afërsi të banesës së tij.

Pjesa më e madhe e 60 bimëve u asgjësua me anë të djegies, ndërsa një sasi e vogël u sekuestrua si provë materiale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme