Daja flet para Laçit: Dinamo kërkon vazhdimësinë, kemi nevojë për tifozët

Dinamo luan me Laçin nesër në “Elbasan Arena” për javën e 5-të të Abissnet Superiore, që transmetohet në RTSH. Pas 3 fitoreve radhazi, blutë e kryeqytetit kërkojnë të konsolidojnë më tepër pozitat në kreun e renditjes.
Trajneri Ilir Daja, duke folur për faqen zyrtare të klubit, ka theksuar se Dinamo kërkon vazhdimësi, ndërkohë që evidenton nevojën e mbështetjes së tifozëve.
“Përpara kemi një ndeshje që do të jetë e bukur dhe shumë e luftuar nga të dyja skuadrat, të cilat vijnë nga një moment pozitiv. Ne kërkojmë vazhdimësinë e rezultateve pozitive, duke qenë se vijmë pas tri fitoreve radhazi. Do të kërkojmë të imponojmë lojën tonë, por duhet të kemi kujdes edhe me ekuilibrat në prapavijë, sepse Laçi është një skuadër që del mirë në tranzicion.
Këtë javë kemi pasur një proces stërvitor, gjatë të cilit nuk e kemi pasur të gjithë grupin në dispozicion, për shkak të disa dëmtimeve dhe shqetësimeve muskulore. Megjithatë, besoj se me kontingjentin tashmë të zgjeruar që kemi në dispozicion, do të jemi të kompletuar.Një grup më i zgjeruar na jep mundësinë që t’i rikuperojmë siç duhet lojtarët që nuk do të jenë të pranishëm, ashtu siç na krijon mundësinë të bëjmë edhe rotacion për ndonjë lojtar që nuk ka qenë në gjendjen më të mirë fizike.Kemi pasur të gjithë kohën e nevojshme në dispozicion për ta përgatitur ndeshjen dhe besoj se nesër do ta vlerësojmë siç duhet Laçin, në mënyrë që të vazhdojmë me rezultatet pozitive.
Prania e tifozëve i jep tjetër bukuri ndeshjes dhe ne kemi gjithmonë nevojë për ta. Besoj se, me këtë start të kampionatit, tifozët tanë do të jenë të pranishëm për të na mbështetur. Futbolli luhet për tifozët dhe mbështetësit, ndaj ne do të bëjmë më të mirën tonë për t’i kënaqur”, – u shpreh Daja.
Dinamo ka marrë 9 pikë në 4 ndeshjet e deritanishme të kampionatit dhe ndan vendin e dytë me Egnatian, që ka të njëjtën kuotë pikësh.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




