Dinamo-Skënderbeu në RTSH, Kalari: Duhet t’i mbyllim ndeshjet dhe të luftojmë deri në bilbilin e fundit

Dinamo do të përballet sot me Skënderbeun në Korçë, në ndeshjen e vlefshme për javën e 11-të të kampionatit Abissnet Superiore. Në prag të kësaj sfide, zëvendës-trajneri i “bluve”, Renaldo Kalari, ka folur për përgatitjet e skuadrës, kundërshtarin, gjendjen e grupit dhe grumbullimin e tre futbollistëve dinamovitë në ekipet kombëtare.
Kalari u shpreh se skuadra ka shfrytëzuar maksimalisht javën e plotë stërvitore, duke u përqendruar kryesisht në përmirësimin e aspekteve tekniko-taktike dhe korrigjimin e disa elementeve që kanë ndikuar në rezultatet e ndeshjeve të fundit.
“Ka qenë një javë e plotë stërvitore, e cila na ka dhënë mundësinë të zhvillojmë një punë intensive, kryesisht në aspektin tekniko-taktik. Në aspektin fizik skuadra është në gjendje shumë të mirë, gjë që është reflektuar edhe në ndeshjet e kaluara, ku në shumë momente kemi dominuar ndaj kundërshtarëve, por nuk jemi treguar mjaftueshëm cinikë përpara portës.
Duhet të jemi më konkretë dhe të dimë t’i mbyllim ndeshjet në momentin e duhur. Një tjetër element që kemi diskutuar me skuadrën dhe që duhet ta korrigjojmë është përqendrimi deri në sekondën e fundit. Ndeshja përfundon vetëm kur arbitri vërshëllen përfundimin e saj. Deri në atë moment duhet të japim 100% të mundësive tona, të sakrifikojmë të gjithë së bashku dhe të ruajmë përqendrimin maksimal”, u shpreh Kalari.
Përballja me Skënderbeun– Duke analizuar kundërshtarin e radhës, zëvendës-trajneri dinamovit vlerësoi paraqitjet e skuadrës korçare, por theksoi se objektivat e Dinamos mbeten të qarta dhe se skuadra do të kërkojë maksimumin edhe në këtë transfertë.
“Kemi përballë një kundërshtar që gëzon respektin tonë maksimal. Skënderbeu meriton vlerësim për lojën dhe paraqitjet që ka zhvilluar deri në këtë moment të kampionatit. Megjithatë, duke pasur parasysh objektivat tanë, edhe në këtë ndeshje do të zbresim në fushë me synimin e qartë për të marrë maksimumin. Nga java në javë po rikuperojmë edhe lojtarët që kanë qenë të dëmtuar, duke shtuar alternativat në dispozicion të stafit teknik.
Këtë javë kemi të gatshëm edhe Nezirin, i cili përbën një vlerë të shtuar për skuadrën. Do të na mungojë Aliji për shkak të kartonëve, një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Megjithatë, kemi besim të plotë te futbollistët që do ta zëvendësojnë. Ata kanë treguar vazhdimisht paraqitje pozitive sa herë u është dhënë mundësia dhe kanë kontribuar në arritjen e objektivave të skuadrës”, theksoi Kalari.
Tre futbollistë dinamovitë të grumbulluar në ekipet kombëtare– Në përfundim, zëvendës-trajneri i bluve u ndal edhe te grumbullimi i tre futbollistëve të Dinamos në ekipet kombëtare, duke e konsideruar këtë një vlerësim të rëndësishëm për paraqitjet individuale të lojtarëve dhe punën që zhvillohet çdo ditë në klub.
“Grumbullimi i tre futbollistëve tanë në ekipet kombëtare është një vlerësim i merituar për atë që ata kanë treguar në fushën e lojës gjatë ndeshjeve të zhvilluara. Bëhet fjalë për lojtarë me shumë cilësi, të cilët janë pa diskutim elementë të rëndësishëm të kësaj Dinamoje.
Puna që bëhet çdo ditë në klub nuk ka si qëllim vetëm arritjen e objektivave të skuadrës, por edhe zhvillimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të futbollistëve. Rritja individuale e çdo lojtari i shërben drejtpërdrejt suksesit kolektiv dhe objektivave që kemi vendosur si klub”, përfundoi Kalari.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



