Italia vajton Sandro Mazzola-n, shuhet miti i Interit të madh dhe futbollit “axurr”

Futbolli italian në zi për ndarjen nga jeta të flamurit zikaltër dhe protagonist i “stafetës” historike me Gianni Rivera-n në kombëtare.
Pak pas mesnate u mësua lajmi se është ndarë nga jeta Sandro Mazzola, një nga emrat më të mëdhenj të futbollit italian, një nga ikonat e Interit dhe protagonist i paharrueshëm i një epoke të artë me “axurrët”. Në nëntor do të mbushte 84 vjeç.
I rritur nën hijen e dhimbshme të tragjedisë së Superga-s, ku humbi babanë Valentino, kapitenin legjendar të Torino-s së madhe, ai diti të ndërtojë një karrierë brilante si sulmues, duke u nisur nga pesha e një mbiemri monumental.
Giuseppe Meazza e inkuadroi me të rinjtë dhe më pas iu hapën dyert e skuadrës së parë të drejtuar nga Helenio Herrera. Gjatë karrierës tek Interi, që zgjati deri në 1977-ën, Mazzola luajti 572 ndeshje dhe shënoi 162 gola. Me fanellën zikaltër fitoi 4 tituj kampion, 2 Kupa Kampionësh dhe 2 Kupa Interkontinentale.

Debutoi me Italinë më 12 maj 1963 në “San Siro”, në fitoren 3-0 ndaj Brazilit të Pelé, ku shënoi me penallti. Pas zhgënjimit në Botërorin 1966 kundër Koresë së Veriut, u bë pikënisja e rikonstruksionit të trajnerit Ferruccio Valcareggi. Ai cikël njihet si “stafeta” e famshme me Gianni Rivera-n, rivalin kuqezi, me të cilin ndau sukseset tek Italia dhe popullaritetin e kohës. Të dy fituan Europianin e 1968-ës dhe shkuan në finalen e Botërorit meksikan të 1970-ës, duke kaluar Gjermaninë në “ndeshjen e shekullit”, 4-3. Mazzola e mbylli me fanellën “axurre” pas Botërorit 1974, me 70 ndeshje dhe 22 gola.
Pastaj u bë drejtues tek Interi, drejtor sportiv në kohën e Massimo Moratti-t. Nga sukseset më të mëdha si drejtues është firma me Ronaldo “Fenomenin” në verën e 1997-ës.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




