Kane arrin rekordin e 101 golave, Olise fantastik me tripletë! Bajerni “shtyp” 7-0 Union Berlinin

Gjermani | 2 orë më parë

Dopietë për sulmuesin anglez dhe show nga francezi. Bavarezët të pamëshirshëm marrin kreun, duke kaluar momentalisht Frajburgun dhe Borusia Dortmund.

Në pozicionin e pazakontë të ndjekësit në renditje, Bajern Mynih u tregua i pamëshirshëm ndaj Union Berlin, duke fituar 7-0. Të udhëhequr nga një Kane rekordesh dhe një Olise në formë të shkëlqyer, skuadra e trajnerit Kompany triumfoi me goleadë në ndeshjen hapëse të javës së 4-t në Bundesligë. Bajerni ka marrë kryesimin momentalisht me 10 pikë, 1 më shumë se Frajburgu dhe Borusia Dormund, që nuk kanë luajtur ende.

Festivalin e golave në “Allianz Arena” e hapi Musiala, me një të djathtë “të hidhur”. Kane dyfishoi me penallti, ndërsa Olise trefishoi para pushimit të ndeshjes. Në pjesën e dytë, pas golit të dytë të Kane dhe atij të Saibari, Olise realizoi edhe dy herë të tjera, duke firmosur një tripletë në këtë ndeshje.

“Heroi” i mbrëmjes te Bajerni ishte Harry Kane, që me dopietën e shënuar shkoi në kuotën e 101 golave në 98 ndeshje kampionati, duke thyer rekordin e Dieter Müller (ish-sulmues i Këlnit, që për të kapur shifrën e trefishtë të golave iu deshën 129 ndeshje në vitet ‘70).

Në 5 kampionatet kryesore europiane – Gjermani, Angli, Spanjë, Francë dhe Itali – vetëm Cristiano Ronaldo e ka arritur këtë rekrod në më pak kohë, në 92 ndeshje me Real Madridin në fillim të viteve 2010.

Kane kaloi te Bajerni në verën e 2023-shit dhe në 3 sezone si bavarez e ka mbyllur kampionatin si golashënuesi më i mirë. Ai ka shënuar 36 gola në 2023-’24, 26 në 2024-’25 dhe 36 në 2025-’26. Ka fituar “Këpucën e Artë” europiane dy herë, në 2024-ën dhe 2026-ën. Në të gjitha komepticionet anglezi ka shënuar 154 gola në 152 ndeshje me Bajernin.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme