Skënderbeu shpëton në frymën e fundit, barazon me Vorën

Vora dhe Skënderbeu barazuan 1-1 në një ndeshje ku vorakët kaluan në epërsi me një gol të bukur dhe kishin mundësi për më tepër. Një karton i kuq i evitueshëm dhe penalltia e shkaktuar në fund sollën barazimin e Skënderbeut.
Një gol i shkëlqyer i Bernard Karricës dhe një ndeshje e mirë e Vorës kundër Skënderbeut u zhbënë nga disa gabime amatoreske që i kushtuan fitoren skuadrës së Arjan Bellait në minutën e fundit shtesë, kur miqtë shënuan golin e barazimit 1-1.
I pari që tundi rrjetën ishte Charles Bismark i Skënderbeut, në minutën e gjashtë, por në pozicion të dukshëm jashtë loje, e që aty takimi u kontrollua përgjithësisht nga skuadra vendase. Korçarët lejuan terren me mendimin për të goditur me kundërsulme, por nuk arritën të kryenin asnjë të rrezikshën.
Edhe Vora vuajti për të krijuar raste, dhe golin e gjeti pas ekzekutimit të një goditjeje të lirë nga Karrica, në minutën e 33-të. Gjashtë minuta më pas, vendasit shpërdorojnë dy herë mundësinë për të shënuar një gol që ndoshta do t’u kishte dhënë fitoren, fillimisht me Karricën, që ndalet nga portieri, e më pas Kashari që nuk gjen portën e boshatisur.
I ndëshkuar me karton të verdhë në fundin e pjesës së parë për faull, Kashari merr një tjetër të verdhë në minutën e 63-të, për një gjuajtje nervoze e krejtësisht të panevojshme të topit pas një faulli kundër. Skënderbeu merr zemër dhe provon të barazojë, por Vora mbrohet mirë, pa lejuar rreziqe.
Deri në minutën e 93-të, kur gjatë një krosimi në zonë Asllanaj mban me duar Lagonidhis, një faull fillimisht i padhënë nga gjyqtari Çelaj, që më pas sinjalizohet nga VAR. Penallti e pashmangshme, të cilën e merr përsipër Bismark.
Kapiteni i Skënderbeut tund rrjetën dhe këtë herë goli qëndron, duke i dhënë një pikë ndoshta të pashpresuar skuadrës korçare, ndërsa Vorës i mbetet vetëm të qajë gabimet që i hoqën nga duart fitoren.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



