Coulthard thumbon Leclerc: Mjaft me qen e fëmijë në pistë, nuk është një piknik fundjave!

Nënkampioni i botës në Formula 1 për vitin 2001, David Coulthard, ka folur për podcast-in “Up to Speed”, duke kritikuar vendimet e disa pilotëve për të marrë familjarët në pistë gjatë çdo Çmimi të Madh.
Duke folur për Leclerc të Ferrari-t, ish-piloti ka thënë: “Ka një familje, pret një fëmijë dhe merr një qen në pistë… Opinioni im është se është diçka e tepruar. Sinqerisht, nuk është një piknik fundjave, apo jo? Është një garë, diçka serioze, e rrezikshme. Ose ndoshta jam unë që i përkas një gjenerate më të vjetër”.
I martuar në fund të shkurtit, Leclerc, ashtu si shumë pilotë të tjerë, nuk ka hezituar ta marrë bashkëshorten Alexandra. Ajo është bërë menjëherë virale në rrjetet sociale dhe që në momentin e parë ka pasur më shumë se 5 milionë e gjysmë ndjekës në Instagram.
Në profilin e saj nuk mungojnë fotot nga pista nën shoqërinë e Charles dhe qenushit Leo, gjithmonë bashkë me çiftin. Coulthard ka folur edhe për Ferrari-n dhe menaxhimin e pilotëve: “Skuderia nuk mund të bëjë më shumë. Ka marrë dy nga pilotët më të mirë në botë, tani duhet t’i menaxhojë sa më mirë”.
Deklarata e postuar në Instagram-in e faqes ‘Sportskeedapistop’ është komentuar nga Brittny Button, gruaja e ish-kampionit të botës Jenson Button: “Jam e lumtur të shoh që Formula 1 po përqafon gjithmonë e më shumë partneret dhe familjet e pilotëve. Paddock-u nuk ka qenë një vend mikpritës për femrat për shumë kohë. Ky është një ndryshim i madh pozitiv.”
Më parë Alexandra Leclerc është kritikuar për mënyrën si vishet në pistë. Në asnjë rast ajo dhe Charles Leclerc nuk kanë reaguar.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




