Të shtëna me armë ndaj një lokali në Athinë, plagoset një 10-vjeçare shqiptare

Një 10-vjeçare me origjinë shqiptare mbeti e plagosur pas të shtënave me armë zjarri ndaj një kafeneje në zonën e Agios Panteleimon në Athinë.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 23:50, në rrugën Agorakritou 32, ku persona ende të paidentifikuar kanë kaluar me makinë përpara lokalit dhe kanë qëlluar me armë në drejtim të fasadës së objektit.
Nga të shtënat u plagos në këmbën e majtë vajza 10-vjeçare, e cila është e bija e pronarit të kafenesë. E mitura u transportua menjëherë në spital, ku fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas mediave greke, në automjet ndodheshin katër persona. Ata dyshohet se kanë hapur zjarr nga brenda makinës dhe më pas janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Makina që dyshohet se është përdorur në sulm u gjet e djegur pak kohë më vonë në zonën e Aspropirgut.
Policia greke ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e motiveve të sulmit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




