Turizmi në Pogradec, interes i lartë nga të huajt, shifra e këtij viti mendohet të jetë 550 mijë

Turizëm | 2 orë më parë

Vizitorë nga Amerika, Australia deri tek Japonia dhe vende të tjera europiane po zgjedhin Pogradecin, Linin dhe destinacionet përreth Liqenit të Ohrit, duke vlerësuar natyrën, klimën, ushqimin dhe mikpritjen.

Ndër më të vizituarat janë Bazilika Paleokristiane e Linit, me rreth 6 mijë vizitorë, kryesisht të huaj, Burimet e Drilonit, Parku Ujor Drilon–Tushemisht dhe Varret Monumentale të Selcës.

Për të huajt juglindja dhe Shqipëria mbeten unike, për atë çfarë ofrohet dhe mundësinë për të vizituar shumë destinacione në pak kohë, ndaj ditët e tyre të qëndrimit nisin nga një javë deri në 2 muaj si ky turist gjerman.

“Kam ardhur nga Gjermania, përmes Malit të Zi, në Shqipëri dhe kam dy muaj që ndodhem këtu. Kam qenë edhe në Korçë, një qytet vërtet shumë i bukur, dhe tani kam dy javë që jam këtu. Njerëzit janë shumë të qetë dhe të relaksuar, dhe kjo më pëlqen shumë. Shqipëria është vërtet një vend i bukur. Kam provuar gjithçka. Ushqimi shqiptar është shumë i mirë dhe kam parë shumë vende të bukura. Jam duke udhëtuar me një camper. Gjëja e mirë në Shqipëri është se me makinë mund të ndalosh dhe të qëndrosh pothuajse kudo”.

“Tani kemi ditën e tetë që jemi këtu. Liqeni i Ohrit është i mrekullueshëm, temperatura është shumë e këndshme dhe është fantastike për të notuar. Në breg ka pak gurë, por është një vend shumë i bukur për të notuar. Kemi qenë në Manastirin e Shën Naumit. Kemi bërë një udhëtim me varkë nëpër liqen. Kjo është hera e parë që vij në Lin. Duket shumë bukur, po, vërtet shumë bukur. Është vapë. Shumë vapë! Sidomos për një anglez. Ende nuk kam provuar ndonjë ushqim shqiptar, por provova një birrë shqiptare dhe ishte shumë e mirë. Më e mirë se ajo maqedonase“!

Vitin e kaluar Pogradeci e mbylli 12-mujorin me rreth 450 mijë turistë, ndërsa këtë vit pritet që deri fund të vitit numri të kalojë mbi 550 mijë të tillë.

Gazetare: K. Koçi       

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme