Tentuan të trafikonin 91 kg kanabis drejt Greqisë, arrestohet çifti në Kakavijë
Një tentativë për trafikimin e rreth 91 kilogramëve lëndë narkotike drejt Greqisë është parandaluar në pikën kufitare të Kakavijës.
Gjatë kontrollit të një furgoni që po dilte nga Shqipëria, u zbuluan rreth 88 pako me kanabis. Pakot ishin fshehur në vende të krijuara posaçërisht në dyshemenë e furgonit, poshtë shtresës së saj. Pesha totale e lëndës narkotike ishte rreth 91 kilogramë.
Për rastin u arrestuan në flagrancë çifti nga Tirana, konkretisht drejtuesi i furgonit, K. A., 28 vjeç, dhe pasagjerja B. A., 25 vjeçe, bashkëshortë me njëri-tjetrin.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 91 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kanabis si dhe furgoni.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



